Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, nuk e sheh të afërt arritjen e një marrëveshjeje mes SHBA dhe Iranit. Në studion e lajmeve, Milo tha se takimi në Islamabad mund të përfundojë me zgjatje të armëpushimit.
Është një ngjarje e paprecedent në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Është rrjedhojë e një konflikti të gjatë, një marrëdhënieje të tensionuar SHBA-Iran. Është rrjedhojë e përpjekjeve që ka bërë Irani pas vitit 1979 për t’u pajisur me armë bërthamore. Kjo ka shkuar në kundërshtim me marrëveshjet e arritura. Janë elementët e krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ku Irani ka përdorur grupimet proxy dhe janë mbledhur një sërë kontradiktash.
Të gjitha këto në një moment të caktuar shpërthyen. Tashmë u arrit të përshkallëzohej konflikti. Nga 28 shkurti kemi një luftë të hapur me pasoja sidomos ekonomike. Të shohim çfarë do të prodhojë nesër takimi në Islamabad. Rezultati mund të jetë modest.
Nuk do të ketë marrëveshje por mund të ketë një zgjatje të armëpushimit dhe të vazhdojë negocimi. Kjo për të arritur hap pas hapi në disa kompromise që mund t’u përshtaten interesave të palëve. Unë mendoj që mund të ketë një rezultat minimal që lë të hapur derën e negociatave.



