Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar penalisht pas një kontrolli të kryer në këtë filial, ku janë konstatuar parregullsi në administrimin e fondeve të shërbimeve të pagesave.
Lajmi është bërë i ditur nga Posta Shqiptare, e cila njoftoi se Drejtoria e Përgjithshme, përmes Drejtorisë Ekonomike, ka ushtruar një kontroll në filialin e Durrësit pas mospërputhjeve të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare.
Sipas njoftimit zyrtar, nga verifikimet janë evidentuar shkelje dhe parregullsi në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Posta Shqiptare thekson se këto fonde nuk kanë lidhje me pagesat e pensioneve apo fondet e pensionistëve.
Pas konstatimeve, institucioni ka marrë masa administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka referuar çështjen pranë Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal së bashku me dokumentacionin përkatës.
Ndërkohë, mësohet se ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, Valbona Hoti Duni, pas nisjes së verifikimeve.
Posta Shqiptare ka deklaruar se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese dhe do të vërë në dispozicion të tyre çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rastit.
Njoftimi
Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.
Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.
Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.
Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.



