Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se heqja e taksës ndaj Serbisë është gabim dhe rrezikon Kosovën. Haradinaj, i cili e vendosi taksën një vit më parë dhe nuk e tërhoqi këtë vendim pavarësisht presionit rajonal dhe ndërkombëtar, doli sot para mediave për të përsëritur qëndrimin kundër vendimit të qeverisë së Albin Kurtit.
“Kurti dje e ka copëtuar vendimin. Më 15 mars e heq tarifën për lëndën e parë e më 1 prill krejt. Copëtimi është bërë për të mashtruar Kosovën, duke e shoqëruar me disa kurthe retorike gjoja të kushtëzimeve që i ofron Kurti. P.sh., absurdi i parë është heqja e tarifës për lëndën e parë, dhe i del 2 javë për të vlerësuar se Serbia është konstruktive. Çfarë treguesi kohor janë dy javë, kur ne Serbinë e njohim prej shumë vitesh”, tha Haradinaj.
Sipas tij, heqja e tarifës në masë të plotë më 1 prill, siç tha dje Kurti, nuk bën gjë tjetër veçse i shërben presidentit serb për përfitim politik në vendin e tij.
“Heqja e tarifës para zgjedhjeve në Serbi, është vetëm konstruktivitet i Kurtit për presidentin Vuçiç t’i fitojë zgjedhjet në Serbi. Shihet që ka një marrëveshje mes tyre, kuptohet çmimi është vota e listës serbe për qeverinë Kurti”, tha ai.
Haradinaj shtoi se një lëvizje e tillë e ka vendosur vetë Kurtin në kundërshti me partnerët ndërkombëtarë dhe ata të koalicionit qeverisës.
“Kjo logjikë e Kurtit e ka një problem. Grenelli nuk i thotë faleminderit, por kërkon më shumë. Kurti nuk e la asnjë mik afër vetes. Nuk i lajmëron partnerët qeverisës, por thërret konferencë për këto lajme. Merr peng prapa tij gjashtë sipërmarrës. Nuk do ta falënderojë askush z.Kurti. U dorëzua shumë shpejt para Serbisë”, u shpreh Haradinaj.



