Sekretari i përgjithshëm i Omonia-s Marin Suli tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se njerëzit në qeveri janë në hall pasi Censi ka nxjerrë që ka shumë minoritarë grekë në Himarë. Suli shtoi se po shtyhet shpallja e rezultateve në qershor për t’i rregulluar të dhënat. Sipas tij qëllimi është që te nxjerrin pak grekë në Himarë dhe mandej të dhënat të reflektohen te pronat, çështje tek e cila sipas tij qëndron i gjithë “zullumi”. Suli tha se do të ketë veprime të tjera nga Athina, përveç bllokimit të negociatave për Shqipërinë, lidhur me çështjen “Beleri”.
Duke folur mbi deklaratat e fundit të Dules, Marin Suli u shpreh:
Ne jemi në prag të një diktature moderne, ku as një ligj dhe asnjë normë dhe shteti ligjor pothuajse ka rënë. Këtu përndiqesh pa ligj, burgosesh pa ligj, je në kushtet e një anormaliteti dhe në kushtet e një mungese totale të sigurisë juridike të do shtetasi. Si pjesë përbërëse e Republikës janë edhe shtetasit me dy shtetësi, atë greke dhe shqiptare, që z.Dule përfaqëson dhe unë po ashtu. Njerëzit në Himarë kanë probleme të theksuara me alfën dhe omegën e jetesës normale si qytetarë europianë, që është prona. Në të gjithë Shqipërinë të gjithë kanë tituj pronësie dhe hipotekë. Në Himarë askush, përveç se kush ka mik një rilindas, nuk ka hipotekë për pronën e tij. Është themeli i një shteti modern që të ketë regjistër të saktë të pronave. Po do të ndërtosh ose duhet të gjesh sekser rilindas, ose t’ia japësh tokën burrit të ndonjë ministre, vetëm kështu zhvillohet prona në Himarë”.
I pyetur mbi deklaratat e kreut të Parlamentit grek se bllokimi i negociatave do të pasohet me veprime të tjera, Suli tha: “Në logjikën time dhe në një logjikë normale të një njeriu që jeton në një vend që aspiron për të qenë pjesë e BE në të ardhmen, sigurisht që do ketë për sa kohë Shqipëria të kthehet në shinat e një shteti ligjor dhe demokratik, ku sundon ligji, dhe ligji është i barabartë për qytetarët e vet. Të garantohen dhe zbatohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve të vet dhe minoriteteve”.
Lidhur me raportimet e mediave greke se në prapaskenë po lobohet që Beleri të betohet si kryebashkiak, Suli tha:
Nuk kam informacion. Uroj të mos ketë lobime. Uroj që mediat greke të thonë të vërtetën siç është. Ne presim që gjykatat t’i thërrasin logjikës juridike, të lexojnë ligjet dhe të bëjnë të mundur betimin një orë e më përpara të Belerit. Këtë të martë Gjykata e Apelit të GKKO ka nxjerrë emrin e gjyqtarit që do gjykojë apelin për betimin. Nxjerrja e emrit të gjyqtarit është bërë si asnjëherë tjetër pa short. Ligji e thotë taksative që çdo njeri duhet të gjykohet nga tre gjyqtarë. Këta e kanë bërë me një gjyqtarë. Ata po bëjnë çdo gjë për të qenë noteri, firma dhe vula e ekzekutimit të vullnetit të një kryeministri, që nuk duron dot që e mundëm në një bashki ku ai ka interesa ndërtimi. Prova më e madhe që kemi ne është mospasja e provave të Prokurorisë. Në seancën e fundit para Vitit të Ri, u vërtetua katërcipërisht që z.Beleri ka qenë 3, 6 km larg vendit të presupozuar të blerjes së votës. Kanë sajuar një dosje si e si ta mbajnë larg nga zyra, sepse z.Beleri është problem i madh, sepse hap petët e lakrorit të pronave. Z.Beleri ka hyrë në muajin e 9 dhe ka hyrë në burg pa prova. Po të kishte një sekuencë filmike sot do ishte në çdo media. Një tjetër hall i madh që këta kanë është Gjykata Kushtetuese, ku është bërë apelimi për masën e arrestit. Kanë kaluar 3 muaj dhe Gjykata Kushtetuese bën sikur harron. Sigurisht është në presion”.
Sa i takon Cens-it, Suli shprehet:
Denoncimi më i madh është që censusin në Himarë e drejtoi familja e kryetarit të PS. Ishin kontrollorë, regjistrues, ishin të gjithë. Pjesa më e madhe, për shkak edhe të moshës, nuk pyeteshin, duke qenë se ishin në iPad, nuk shkonin fare. Një pjesë e madhe anashkalonin çështjet e identitetit etnik, ose çështjet fetare. Imagjinoni shoferi dhe njeriu më i afërt i INSTAT-it ishte shoferi i z.Goro. Gjithë administrata e bashkisë dhe PS drejtoi censusin në Himarë. U përdor si një hakmarrje kundrejt minoritetit grek në Himarë dhe kundër atyre që s’i kanë votuar. Kjo është skandaloze. Me paratë e taksapaguesve dhe me paratë e të gjithë neve ta përdorësh për të nxjerrësh mllefet e tua. Ndërkohë mund të kishin marrë të rinj dhe të reja nga universitetet dhe t’i pyesnin njerëzit lirshëm. Tani janë në hall, sepse u kanë dalë të dhënat, dhe në biseda me njëri-tjetrin në telefon: Si t’ia bëjmë-thonë- se na kanë dalë shumë grekë në Himarë. Se qëllimi ishte të dilnin 14,5 për qind siç thoshte një personazh që dilte nga studio në studio. Tani kanë dalë shumë grekë në Himarë dhe s’po zgjidhin, të heqin grekët nga Himara, apo të ribëjnë edhe njëherë censusin dhe të thonë është gabim. Rezultatet do shpallen në qershor për këtë arsye, se duan t’i rregullojnë që t’i nxjerrin atje ku duan ata, që të thonë kemi pak, që të thonë janë pa regjistruar, që të fillojnë censusin ta kthejnë në regjistrim të popullsisë dhe censusi të reflektohet te prona. I gjithë zullumi dhe gjithë kjo histori është te prona e Himarës dhe himariotëve”.



