
Albin Kurti, lideri dhe themeluesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, do të jetë kryeministri i ri i Kosovës me vullnetin e plotë të sovranit dalur nga zgjedhjet e djeshme parlamentare në vend.
Edhe pse Kurti, që në fillimet e tij, si student do të kontribonte për lirinë dhe krijimin e shtetit më të ri në Evropë, dhe deri në ditët e sotme, edhe pse pa e provuar asnjëherë pushtetin, votat ndaj partisë së tij, treguan që nga dje nevojën për ndryshime në qeverisje në Kosovë.
Po kush është Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës?
Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai filloi të spikasë që gjatë periudhës së fillimluftës që në vitin 1997, pasi në rezistencë kundër Milosheviçit, Albini u bë pjesë kryesore e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Grupi me anë të protestave dhe të mosbindjes civile kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga pushtimi serb. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997, e cila u shtyp brutalisht nga policia e Millosheviçit.
Sapo lufta e Kosovës kishte filluar zyrtarisht, në gusht të vitit 1998 Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës.
Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë. Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë.
Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Millosheviçit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”.
Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti do të veproja sërish njësoj.”
Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003 Albini diplomoi në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës, dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.
Krijimi i VV
Pas çlirimit të Kosovës, Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997.
Më 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën “Jo negociata, vetëvendosje”, fjalë e cila pikërisht solli transformimin e KAN-it në Lëvizjen vetëvendosje!
Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të pa dhunshme, sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.
Sërish edhe njëherë Kurti provon shijen e prangave të policisë, kësaj rradhe asaj ndërkombëtare, e cila ndaloi gjithashtu edhe qindra aktivistë të tjerë.
Me kalimin e kohës, Lëvizja Vetëvendosje u kthye në parti, e cila ishte gjithmonë e gatshme të zgjidhte opozitën sesa një marrëveshje për pushtet.
Por problemet nuk kishin të ndalur për Kurtin, edhe njëherë, tashmë në Kosovën e pasluftës ai do të përjetonte sërish qelinë e burgut.
Në vitin 2017 ai u arrestua bashkë me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partive opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Të tre ata u liruan nga burgu disa ditë më parë për të vuajtur dënimin e tyre me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë i dorëhequr nga kreu i partisë, VV drejtohej nga Visar Ymeri, e cila u has me shumë probleme. Ymeri u detyrua të japë dorëheqjen e tij pas zbulimit të një skandali ku deputetja Aida Dërguti kishte fyer me fjalë banale Albin Kurtin, kur ky i fundit ishte në paraburgim.
Dorëheqja e tij pasoi edhe largimin e shumë deputetëve të tjerë, duke e lënë VV në prag të shpërbërjes, nga kriza e brendshme. Por ai që e krijoi, u rikthye sërish për të marrë në dorë frerët e saj.
Me rikthimin e tij në krye të VV, Kurti vijoi të kundërshtonte po aq shumë një marrëveshje të mundshme me Serbinë, në dëm të interesave të Kosovës, duke mos i kursyer sulmet në drejtim të qeverisë Haradinaj.
Albini tashmë kishte ndezur deri në fund motorrat për garën. Këtë herë ai fitoi, si shpërblim ndaj bindjeve dhe parimeve të tij ndaj vendit.
Ajo që mbetet për tu parë nga lideri Kurti, pas kaq vitesh sakrificash dhe aktivitet të tij politik, është se nëse ai do të arrij të përmbushë me sukses të gjithë premtimet e bëra përgjatë 14 viteve të tij në opozitë.



