
Këshilli i Mandateve do të mblidhet sot, prej orës 16: 00, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) për arrestimin e deputetit socialist, Arben Ahmetaj. Në orët e pasdites, Këshilli do të dalë me një raport dhe më pas do të dërgohet në parlament për votim. Ajo që është bërë me dije nga Kuvendi është se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura për të mos cenuar sekretin hetimor. Ahmetaj, pas një hetimi të gjatë nga SPAK, u akuzua për tre vepra penale. Zëvendëskryeministri i vendit është i dyshuar për “Mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministrit nisi për çështjen e inceneratorëve e tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij. Nga dosja hetimore raportohet se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre. Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete. Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët. Ai ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses. Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit kur të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit.



