Një superjaht prej 81 milionë dollarësh që thuhet se është në pronësi të oligarkut të sanksionuar rus Andrey Guryev do të nxirret në ankand nga qeveria e Antigua dhe Barbuda, e cila pretendon se anija është braktisur në Karaibe që nga pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar.
Qeveria e Antigua dhe Barbuda të hënën paralajmëroi pronarin e superjahtit Alfa Nero se kishin 10 ditë për të kërkuar anijen ose do t'i shitej ofertuesit më të lartë.
Ministri i informacionit, Melford Nicholas, tha se Alfa Nero ishte braktisur në portin Falmouth në Antigua që nga shkurti i vitit 2022 dhe qeveria "po përpiqej të parandalonte një rrezik të ardhshëm pasi anija luksoze nuk po mirëmbahet nga pronari i saj".
Në një deklaratë zyra e kryeministrit të Antigua dhe Barbuda tha: “Një njoftim për gazetat dhe mediat e tjera do të publikohet për një periudhë 10-ditore, duke njoftuar shitjen e anijes Alfa Nero në mënyrë që të plotësohen kërkesat sipas ligji për shitje të detyruar. Nëse pronari nuk arrin të pretendojë anijen brenda asaj periudhe kohore, qeveria e Antigua dhe Barbuda do t'ia shesë atë ofertuesit më të lartë”.
Guryev, 62 vjeç, i cili bëri një pasuri prej 10 miliardë dollarësh nga kompania ruse e plehrave PhosAgro, është pronari i Alfa Nero sipas qeverisë amerikane, e cila vendosi sanksione ndaj tij vitin e kaluar.
Zyra e Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) tha se kishte “identifikuar Alfa Nero, një jaht me flamur në ishujt Kajman që AG Guryev thuhet se e bleu për 120 milionë dollarë në 2014, si pronë e bllokuar e AG Guryev”.
Jahti, i cili përmban një pishinë 12 metra, një xhakuzi, një spa, një dhomë bukurie dhe një helipad, është përdorur nga familja e Guryev, duke përfshirë djalin e tij (gjithashtu Andrein) dhe gruan e djalit të tij, Valeria, e cila studionte në Kolegjin e Modës në Londër.



