Prej disa ditësh, me dhjetëra vajza minorene në qytetin e Korçës, kryesisht mosha 14 deri në 16 vjeç, po shantazhohen dhe denigrohen në rrjetin social Instagram nga një faqe anonime.
Ku postohen çdo ditë emra, foto dhe video vajzash bashkë me adresat e tyre të banimit dhe të dhëna të tjera, me qëllim denigrimin e tyre.
Gazetarja Elsa Xhindole raportoi për MCN Live, se deri më tani është bërë vetëm një kallëzim në polici, por se janë të shumtë prindërit që kanë shprehur interes dhe kanë kërkuar informacion.
Madje ka pasur raste kur vajza të mitura kanë tentuar që t’i japin fund jetës.
Një e mitur 15-vjeçare thotë se mësoi nga shoqëria që ishte postuar në këtë faqe.
Unë nuk e përjetova mirë por aty thoshin gjëra të pavërteta dhe nuk i mora shumë për bazë.
Disa prej tyre kanë qenë miqtë e mi dhe nuk e kanë përjetuar mirë këtë çështje, disa prej vajzave kanë tentuar të vrasin edhe veten.
Kjo faqe është hapur disa herë dhe është hapur prej katër vitesh.
Hapet dhe mbyllet shpesh, çdo 6 muaj, çdo 3 muaj. Aty ka ofendime të njerëzve, gënjeshtra, foto.
Aty duan vetëm të ofendojnë dhe t’i bëjnë njerëzit të ndihen keq, aty komentojnë shumë njerëz jo vetëm një person.
Aty është një program i cili i ndihmon njerëzit të shkruajnë dhe të flasin për njerëzit e tjerë dhe të postohen pa emër, anonim.
Aty nuk të del emri, nuk të tregon se kush shkruan, thjesht shkruan dhe e poston, je anonim.
Disa prej vajzave kishin shkuar në polici dhe i kishin thënë që duhet të hapen çështje të tjera nuk mund të bënin gjë policët por duhet të vinin në gjykatë, duhet të zinin prokuror.
Duhet të gjenden me patjetër, duhen të merren masa.
Një tjetër djalë thotë se i tregoi një shok që e kishin hedhur në faqe.
U ndjeva shumë keq kur e lexova se më ulën shumë, ishin gjëra kot pa lidhje.
Nxirrte shumë foto të vajzave nudo, shumë budallallëqe, shumë gjëra që nuk ishin të vërteta.
Mua më përfshinë me një vajzë që kam qenë i lidhur më parë, pastaj të hapnin name te faqja, jo me filanin me këto.
Shumë keq, jam mërzitur shumë, nuk më ka pëlqyer fare.
Kam shumë shoqëri që i kishin nxjerrë aty, shumë shokë e shoqe, mesa di unë ata e kanë përjetuar shumë keq, si mua, edhe mua nuk më erdhi mirë kur e lexova atë gjë.
I pyetur nëse i kanë shkruar kësaj adrese i mituri sqaron se edhe po ti kenë shkruar, ai nuk kthen përgjigje, pasi nuk do që të dallohet.
Në ato që ata shkruajnë është shumë presion i madh për moshën tonë, është shumë budallallëk të hedhësh një shok ose një shoqe, të shkruash aty filani ka bërë këtë gjë, ka bërë atë gjë.
Duhet tu jepet dënim me burg, se nuk ulet një njeri në një faqe Instagrami.
Nëse ke për të thënë gjë thuaje në fytyrë jo mbrapa telefonit se nuk është gjë normale, është shumë gabim.



