
Një vajzë 17-vjeçare holandeze, Noa Pothoven, fitoi pas një beteje të gjatë ligjore, të drejtën për t'iu nënshtruar eutanazisë, e cila është e ligjshme në Holandë. Vajza e re vdiq në shtëpi në prani të mjekëve, një asistencë e ofruar nga një klinikë e specializuar, pas viteve të tëra vuajtjeje psikike për shkak të dhunës seksuale që kishte pësuar kur ishte fëmijë.
Vajza kishte deklaruar se nuk mund të jetonte më për shkak të depresionit, stresit posttraumatik dhe anoreksisë, raportojnë mediat holandeze.
Në një postim të fundit në Instagram, vajza shkroi "në këtë rast, dashuri do të thotë të më lini të iki", duke u kërkuar ndjekësve të saj që të mos përpiqeshin t’ia ndryshonin mendjen. Zgjedhja u bë pas një beteje të gjatë ligjore.
Në Holandë, të drejtën e eutanazisë (vetëvrasja e asistuar) e kanë moshat mbi 12-vjeçare, por vetëm pasi doktori të vërtetojë se vuajtja e pacientit është e padurueshme dhe pa zgjidhje. Në vitin 2017, rreth 6 585 vetë kërkuan dhe fituan të drejtēn e eutanazinë në Holandë, rreth 4.4 për qind e totalit të vdekjeve në vend, sipas një komisioni që monitoron këtë fenomen.
Noa kishte shprehur shqetësimin e saj që në moshë shumë të re, duke shkruar edhe një autobiografi me titull "Të fitosh ose të mësosh", ku përshkruan përpjekjet për të kapërcyer sëmundjet, që iu shfaqën pas dhunës seksuale që pësoi kur ishte fëmijë. Me librin, ajo donte të ndihmonte të rinjtë më të brishtë për të luftuar për jetën. Sipas saj, në Holandë nuk ka subjekte të specializuara ku adoleshentët mund të marrin mbështetje fizike ose psikologjike në raste të ngjashme.
Në rrjetet sociale ajo shprehu dëshirën e saj për t'i dhënë fund, duke shpjeguar se nuk ishte "një zgjedhje impulsive, por e mirëmenduar për një kohë të gjatë". / Ansa/



