Në një intervistë për MCN Live deputeti Luan Baçi tha se kryemionistri Rama nuk përballet me opozitën në Parlament, pasi me faktet që kanë dalë, nuk ka me çfarë të thotë për aferën e inceneratorëve. Deputeti vë në dukje se nuk po zbatohet rregullorja e Parlamentit, pasi kërkesa për interpelancë është e detyrueshme që të jetë pikë e parë e rendit të ditës. Baçi tha se edhe gjatë verës opozita do të jetë në aksion politik, me riorganizimin e strukturave dhe krah qytetarëve. “Nuk përballet asnjëherë kur ka probleme dhe shqetësime të mëdha. Edhe pse shquhet si njeri i propagandës, që di të bëjë edhe të zezën të bardhë, por me faktet dhe argumentet që kanë dalë sidomos për problemin e inceneratorëve, nuk ka më çfarë të thotë. Nuk kanë filluar diskutimet në Parlament, dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar të zbatohet rregullorja e Parlamentit. Kur ka kërkesë për interepelancë është e detyrueshme që të vihet pikë e parë e rendit të ditës. Është e paramenduar. Kemi një rend dite shumë të ngjeshur, me pr.ligje, raportime të institucioneve. Kemi dy ligje të turpshme që duan t’i kalojnë me urgjencë, siç është ligji për kanabizimin e vendit. Në këtë situatë që jemi kemi grupe të mëdha kriminale që merren me këtë lloj ‘biznesi’. Kryeministri dhe qeveria e tij do ta legalizojë, ka përgatitur licencat, për ta vjedhur këtë popull. Kemi ligjin tjetër, akoma më të turpshëm, po rrethohet me polici Parlamenti, a thua do ta sulmojnë grupe huliganësh, kur atje jashtë janë studentë të ekselencës. Për të mos u larguar mjekët nga vendi, mjaftojnë t’i bëjnë rrogat sa të deputetëve. Ka zgjidhje, ka rrugë të tjera, për të mbajtur studentët dhe mjekët e ardhshëm, dhe nuk mund të veprohet më në këtë mënyrë. Të mbash diplomën peng është e paimagjinueshme, as në kohën e diktaturës nuk është vepruar kështu. Është një diskriminim, një turp i vërtetë”. Baçi tha se ka një emergjencë mjedisore në qarkun e Fierit, duke denoncuar mënyrën se si po menaxhohen mbetjet nga bashkitë e këtij qarku. “Opozita do të jetë në aksionin e vet politik. Të gjithë deputetët e PD pothuaj janë në unison në qëndrimet që mbajnë, pavarësisht se nuk janë të rakorduara. Opozita dhe PD mund të funksionojë vetëm si një e tërë. Edhe në periudhën e verës do jetë në aksion politik opozita, në riorganizimin e strukturave dhe në krah të qytetarëve. Kemi zv.kryeministrin e arratisur, që ka qenë pika kyçe e kësaj afere. Kemi një gjendje alarmante. Është shumë i domosdoshëm debate në Parlament, por kemi një emergjencë mjedisore të pazgjidhshme që e kanë shpallur 4-5 vjet përpara. Janë hedhur miliona euro për inceneratorët, ato janë vetëm ngrehina në Fier dhe Elbasan, në Tiranë nuk ekzistojmë. Bashkia e Patosit ka një javë që i derdh mbetjet urbane në fshatin Sheqisht, në fusha dhe gropa në parcela të banorëve, dhe kanë dalë në protestë gjithë banorët, por askush s’i dëgjon. Kryetarja e bashkisë së Lushnjës i derdh në Grabian. Sipas informacionit të sigurt që kam, të gjitha gropat gjigante që janë hapur rreth inceneratorëve, ku janë kapsuluar me mijëra tonelata mbetjesh urbane, tashmë kanë filluar dhe derdhin ku të mundin, zona e Azotikut është e preferuar nga kryebashkiaku Subashi për të depozituar mbetjet urbane. Njoftova mediat për të filmuar në Azotik, dhe brenda natës i kishte hequr”, tha deputeti. Lidhur me kandidimin e Lulzim Bashës për kryetar të PD-së zyrtare më 29 korrik, Baçi bëri këtë koment: “Basha s’është as kandidaturë, as kryetar, Basha bën një lojë të pistë siç e ka nisur që në fillim. Do ta quaja një turp. Sot të gjithë deputetët janë kundër veprimit të tij, e kuptuan që Basha është një mashtrues që e sheh PD-në si biznes. Basha është një vegël e Ramës, i vendosur aty për të marrë me çdo kusht vulën dhe siglën PD”.



