Avokati Spartak Ngjela, dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në Tiranë dhe pesë bashki të tjera, ndërkohë që Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij, e sheh si nxitim politik.
Duke folur për “MCN Live”, ai parashikoi krijimin e një trazire të madhe nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon shkarkimin e Veliajt.
Sipas tij, Presidenti Bajram Begaj, duhet të priste vendimin e formës së prerë para se të dekretonte datën e zgjedhjeve.
Ngjela shtoi se Gjykata Kushtetuese do të duhet të flasë para se të mbahen zgjedhjet e 9 nëntorit.
Mund të jetë shkelje e Kushtetutës, por atë do e vendosë Gjykata Kushtetuese. Presidenti bën çfarë të dojë, po sikur Kushtetuesja të vendosë që nuk shkarkohet Veliaj, çfarë ndodh?! Prandaj nuk duhen kapërcyer hallkat.
Po nëse Kushtetuesja e shfuqizon shkarkimin, po sikur në gjykatë Veliaj të marrë pafajësinë, krijohet një trazirë e madhe, do e lëmë të ecë.
Konflikti i brendshëm është ky, tani varet gjithçka nga Gjykata Kushtetuese, do e marrë në shqyrtim ta gjykojë.
Kushtetuesja mund të thotë do e pezullojmë deri sa të zgjidhet problemi i zgjedhjeve. A është kushtetues dekreti?
Duhet të priste vendimin e formës së prerë. Po sikur Veliaj të marrë pafajësinë, çfarë ndodh, pse nuk e pritën këta.
Do qëndrojë kryeqyteti pa kryetar bashkie, se duke qenë i arrestuar, nuk e drejton dot bashkinë. Jemi në këto konflikte të brendshme.
Kushtetuesja do të duhet të flasë para se të mbahen zgjedhjet. Gjykata Kushtetuese si rregull nuk jep vendime që bllokojnë shtetin.
Po nëse Veliaj merr pafajësinë, ka një krizë shumë të madhe. Ta zëmë se mbahen zgjedhjet në Tiranë dhe Veliaj merr pafajësinë, çfarë ndodh? Çështja do shkojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Është dëm për partinë politike. Nga Edi Rama nuk ka asnjë kërkesë publike që të japë dorëheqje.
Kryeministri do që të ketë Tirana kryetar se është qendra e Shqipërisë. Kemi nxitim politik, jo juridik.



