“O Zot, pse nuk më more mua në vend të saj?”. Këto janë fjalët e babit të njërës prej vajzave shqiptare që mbetën të vdekura së bashku me dy moshatarë të tyre në një aksident rrugor në hyrje të Romës në orët e para të mëngjesit të së dielës. Vangjel Gjinaj është babai i 19-vjeçares Xhesika Gjinaj. I vrarë nga vdekja e së bijës, atij i janë tronditur edhe themelet e besimit katolik.
“Xhesika ishte vajza më e mirë në botë. Ku është Zoti im, në të cilin besoj, por që më mori gjithçka kisha”, citohet ai nga mediat italiane.
Vangjel Gjinaj është vetë shofer transporti prej shumë vitesh. Ironia e fatit bëri që pikërisht një aksident rrugor t’i merrte të bijën, gjënë më të shtrenjtë.
Një jetë plot sakrifica prej të paktën 20 vitesh, kur familja shqiptare ishte vendosur në Itali për të rritur Xhesikën dhe vajzën tjetër, Joniada.
Pranë tij është e shoqja, e cila nuk ka fuqi të flasë.
“Pikërisht një natë më parë, Xhesika më tha se donte të regjistrohej në universitet. Por nuk ishte shumë e sigurt për këtë. Thoshte se duhen shumë para. Unë do të kisha bërë gjithçka për të. I thashë të mos e vriste mendjen për këtë, do ta zgjidhja unë. Isha shumë krenar për time bijë”, tregon Vangjeli.
Aksidenti fatal ndodhi rreth orës 404:30 të mëngjesit të së hënës, ndërsa katër të rinj ktheheshin në Romë me një makine “Mini Cooper”. Për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar, makina doli nga rruga dhe u përplas me një ndërtesë duke i lënë të vdekur në vend katër të rinjtë: dy djem me kombësi italiane dhe dy vajza shqiptare, të gjithë 19 vjeç. / LEGGO /



