
Protesta qytetare për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe kundër investimeve strategjike në këto territore do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve.
Kjo ishte një nga temat e diskutimit në studion e lajmeve në MCN TV, ku të ftuar ishin ekspertja e sigurisë Emanuela Dyrmishi dhe juristi Gentjan Alimadhi, përfaqësues i organizatës "Diaspora për Shqipërinë e Lirë".
Dyrmishi u shpreh se një tryezë e organizuar sot ka mbledhur profesionistë nga fusha të ndryshme dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke treguar se shqetësimi për mbrojtjen e pasurive kombëtare është i gjerë.
Kjo tryezë bashkoi profesionistë të lirë, ekspertë të sigurisë, juristë, ekonomistë, sipërmarrës dhe përfaqësues nga Kosova.
Kjo tregon rëndësinë e protestës dhe faktin që mungon dialogu mes qeverisë dhe qytetarëve.
Edhe mediat e huaja po i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj çështjeje sesa mediat shqiptare.
Zhvillimet në Shqipëri nuk mund të shihen të shkëputura nga konteksti gjeopolitik ndërkombëtar dhe kërkojnë një dialog të gjerë me të gjitha shtresat e shoqërisë.
Duhet të ulemi të gjithë në dialog.
Shteti ka detyrimin të mbrojë pasuritë kombëtare.
Nëse vazhdohet me këtë ritëm të shfrytëzimit të tyre, rrezikojmë të dëmtojmë një pasuri që i përket të gjithë shqiptarëve.
Nga ana e tij, Gentjan Alimadhi deklaroi se organizata "Diaspora për Shqipërinë e Lirë" ka depozituar pranë SPAK një kallëzim penal, duke kërkuar verifikimin e procedurave ligjore për dhënien e statusit të investitorit strategjik në disa zona të mbrojtura.
Më 10 qershor kemi depozituar një kallëzim penal në SPAK, ku kërkojmë verifikimin e bazës ligjore dhe të procedurave të ndjekura për investimet strategjike në Ishullin e Sazanit, Zvërnec, Karaburun, Vjosë-Nartë dhe çdo projekt tjetër që prek zonat e mbrojtura.
Ekzistojnë dyshime për shkelje ligjore në procedurat e miratimit të këtyre projekteve dhe SPAK duhet të hetojë në mënyrë të plotë transparencën dhe ligjshmërinë e tyre.
Ne kemi ngritur dyshime për mënyrën se si janë ndjekur procedurat për dhënien e statusit të investitorit strategjik.
I takon SPAK-ut të verifikojë nëse janë respektuar të gjitha kriteret ligjore dhe nëse ka pasur shkelje në këto procese.



