
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një takim që pati sot me simpatizantë dhe mbështetës të LSI në Shkodër, ripërsëriti qëndrimin e saj se djegia e mandateve nga opozita ishte një vendim ekstrem, porse kjo ishte rruga e vetme për t’u përballur me një qeveri, e cila, sipas saj, ka lidhur fatet e saj me krimin.
Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mban peng vendin dhe se është kthyer në armik të qytetarëve. Në këtë kuadër, Kryemadhi pohoi se opozita e bashkuar do të vijojë protestat jo vetëm në Tiranë, por tashmë shtrirja e tyre do të jetë në gjithë vendin. “Protesta jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet të Shqipërisë. Ka dy lloj politikanësh: Një lloj që lidhet vetëm me karrigen, ndërsa ka edhe të tjerë që djegin mandatin dhe bëhen bashkë për të përmbysur njëherë e mirë këtë krim. Ne sot përballemi me deklarata nga më të ndryshme, me fyerjet, por ne e kemi marrë vendimin për të qenë të thjeshtë si ju dhe për të aspiruar drejt Europës”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas Kryemadhit, në kohën kur debati politik është i fokusuar te mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e Gjykatës së Lartë, gjithsesi edhe pas gati 30 vitesh, shqiptarët vijojnë të vuajnë për mungesën e bukës së gojës.
“90% e shqiptarëve nuk arrijnë të ushqejnë dot fëmijët e tyre. 90% e shqiptarëve nuk arrijnë dot të mbajnë prindërit e tyre. 90% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e energjisë elektrike. 90% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e ujit. 90% e shqiptarëve duan të ikin një orë e me përpara nga Shqipëria dhe për të mos e kthyer më kokën pas. Përse ndodh kjo? Kjo ndodh, sepse qeveria e cila është e vetmja në këmbë sot, sepse i gjithë sistemi ka rënë, do të mendojë vetëm për pesë veta, të cilët paratë e shqiptarëve i marrin dhe i futin në xhepat e tyre”, tha Kryemadhi.
Nga qyteti verior, kryetarja e LSI, pohoi se ka ardhur koha për të shkundur krimin dhe korrupsionin dhe vendin e tij ta zërë ëndrra për një Shqipëri europiane.



