Avokati Redon Meksi, në MCN Live, ka bërë një analizë të protestës që prej 60 ditësh zhvillohet kundër kryeministrit Edi Rama, duke vlerësuar se ajo ka arritur një pjesë të objektivit të saj, por ka mbetur në një pikë kritike për shkak të mungesës së një alternative politike dhe të përfaqësimit të qytetarëve.
Meksi u shpreh se ka vite që merr pjesë në protesta dhe, sipas tij, lëvizja qytetare ka treguar se shqiptarët janë të gatshëm të mbështesin një ndryshim të sistemit politik, por nuk kanë gjetur ende një alternativë bindëse.
Kam vite që marr pjesë në protesta. Sot, siç e shoh unë, protesta ka arritur qëllimin e saj për t’i hedhur në plehra të dy partitë politike. Megjithatë, protesta me grupet organizative ka përfunduar në një situatë që është pikërisht siç e do Edi Rama. Ajo tregoi se qytetarët janë gati për një alternativë, por ata që pretendonin ta ndërtonin atë nuk patën kurajën të merrnin përsipër të mirën e kombit. Ky shesh tregoi se njerëzit e duan alternativën, por nuk arriti t’ia japë atë këtij populli.
Sipas avokatit, problemi kryesor i protestës është mungesa e një lidershipi dhe e figurave që mund të përfaqësojnë realisht qytetarët, ndërsa kritikoi ashpër individët që, sipas tij, e konsiderojnë veten drejtues të protestës.
Ajo që shoh unë është se disa delirantë e mendojnë veten kryeministër apo deputetë pa qenë të tillë. Mënyra se si flasin dhe si shprehen i bën edhe më të frikshëm se vetë Edi Rama apo Sali Berisha, sepse sillen sikur pushtetin e kanë tashmë në dorë. Nuk di të them se ku po shkon protesta sot, por në këtë moment ajo është pikërisht siç e do Rama. Nga ana tjetër, kjo protestë i dha një goditje shumë të madhe si Partisë Socialiste ashtu edhe Partisë Demokratike, por ndodhet në një pikë kritike për shkak të mungesës së përfaqësimit.
Meksi theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve në protestë dëshmon se ekziston një kërkesë e fortë për ndryshim, por sipas tij, grupimet që pretendojnë ta udhëheqin këtë lëvizje nuk kanë arritur të krijojnë besim.
Qytetarët shqiptarë treguan se, nëse do të dilte një alternativë dhe do të kishte një organizim serioz, janë të gatshëm të bashkohen. Sot nuk kanë një alternativë. Në këtë shesh ka shumë njerëz që i bashkon mungesa e përfaqësimit. Ne mund të ishim bërë bashkë, por nuk arritëm t’i bindnim qytetarët se ekzistonte një alternativë reale, edhe pse e konsiderojmë veten intelektualë. Protesta nisi në atë formë dhe vazhdon, sepse nuk besoj se ka shqiptar që të mos ketë dalë qoftë edhe një ditë në protestë. Ajo që na bashkon të gjithëve është nevoja për ndryshimin e sistemit politik.
Në vijim, avokati hodhi akuza ndaj disa prej figurave që, sipas tij, kanë pretenduar të flasin në emër të protestës, duke përmendur konkretisht Gent Prognin.
Kam qenë pjesë e çdo grupimi në rrjetet sociale dhe mund ta them me bindje se ata nuk e përfaqësojnë protestën, edhe pse kanë pretenduar ta bëjnë këtë. Po e nis me Gent Prognin, i cili nuk e përfaqëson protestën. Atë që po bëj unë sot e ka bërë edhe ai më parë. Këta njerëz që sot përpiqen të përfaqësojnë protestën po i bëjnë dëm asaj, sepse për shkak të tyre janë larguar shumë qytetarë. Genti është vetëm një nga emrat që mora si shembull, por ka edhe të tjerë.



