
Ka nisur protesta e thirrur nga lëvizjet studentore përpara godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në kryeqytet.
Dhjetëra të rinj janë grumbulluar duke mbajtur në duar pankarta me thirrjet kryesore "Revoltë", “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Nuk shitet Shqipëria”.
Gjatë protestës kombëtare të organizuar nga studentët dhe të rinjtë përpara godinës së Ministrisë së Arsimit në Tiranë, protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe vezë në drejtim të ndërtesës.
Organizatorët e protestës iu kanë bërë thirrje publike të gjithë studentëve nga universitetet e rretheve, si dhe qytetarëve të tjerë, që t’i bashkohen masivisht tubimit.
Qëllimi kryesor i këtij organizimi është ngritja e zërit dhe reagimi ndaj problematikave të shumta që prekin sot të rinjtë në sistemin arsimor dhe jetën sociale.
Ndër çështjet kryesore që pritet të ngrihen gjatë protestës janë kushtet në universitetet shqiptare, kostot e studimeve dhe mbështetja financiare e sociale për studentët.
Të rinjtë kërkojnë zgjidhje konkrete dhe politika më efektive për arsimin e lartë, me synimin që universitetet të ofrojnë më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe punësim.
Në vendngjarje janë stacionuar edhe forca të Policisë së Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit, ndërsa qarkullimi i mjeteve në aksin përpara ministrisë po devijohet pjesërisht.



