Për herë të parë që kur mori detyrën e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Sholz mirëpriti këtë të enjte gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit, ku u theksua rëndësia e zhvillimit të tregut të përbashkët rajonal dhe forcimi i sigurisë energjetike. Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e cilëson një lajm të mirë për Ballkanin rigjallërimin e procesit të Berlinit. Në studion e MCN TV, Milo tha se ky do të jetë sukses i Bashkimit Europian.
Shcolz ka premtuar se do të rigjallërojë procesin e Berlinit. Është një proces që zhvillohet në rrethana të reja gjeopolitike. Për Ballkanin, ky është një lajm shumë i mirë.
Serbia kërkon ta mbajë të ngritur tensionin në Kosovë përmes disa çështjesh që nuk kanë më sens. Kur nënshkruan marrëveshje më të rëndësishme si lëvizja e lirë e njerëzve, çfarë kuptimi ka qe ti mban akoma targat e vjetra të Serbisë. Është një tension i pamotivuar. Brnabiç nuk foli për frymën që përshkoi takimin e sotëm në Berlin. Më tepër ka kritika pse BE toleron Kosovën dhe nuk flet për çështjet e mëdha. Pengesa ka ardhur gjithmonë nga Serbia për të nënshkruar këto marrëveshje.
Do të jetë sukses europian, duhet ta konsiderojmë sukses të BE.
Milo tha se nuk ka vend për të folur për rivalitet franko-gjerman apo mes SHBA dhe BE.
Kam vënë re se ka komente për njëfarë rivaliteti gjermano-francez në rajon. Nuk është rasti dhe nuk besoj se ka për Ballkanin Perëndimor, se kush do të jetë flamurmbajtësi i iniciativave për ta rregulluar atë sa më shpejt.
Franca me kërkesat e saj herë pas here ka shtyrë edhe procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë. Gjykimi është që Gjermania e meriton rolin e liderit të BE në çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Nuk shoh rivalitet, sepse SHBA me ardhjen e presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë u është rikthyer politikave të mëparshme. Nuk është më ajo që u ndoq gjatë presidencës Trump, i cili u përpoq ta monopolizonte. Presidenti Trump u shkëput nga bashkëpunimi konstant i SHBA me Be dhe nuk kontribuoi në uljen e tensioneve në rajon.



