
Dy persona kanë përfunduar në pranga të akuzuar për transport klandestinësh.
Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me atë të Tepelenës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, finalizuan operacionin e koduar “Road Guard 13”.
Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, shërbimet e policisë në bazë të informacioneve të grumbulluara, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “BMW” me drejtues shtetasin I. T., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Pas disa minuta ndjekjeje në vendin e quajtur “Kryqëzimi poshtë Kalasë”, Tepelenë, shërbimet e policisë kanë kapur shtetasin Indrit Toluli, i cili pasi kishte dalë nga rruga me mjet, e kishte braktisur atë dhe tentoi të largohej por është vënë në pranga nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit shërbimet e policisë kanë konstatuar 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.
Në vijim të operacionit pas hetimeve paraprake të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, është bërë i mundur identifikimi i organizatorit të këtij rasti, ku falë bashkëpunimit me komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit E. T, 21 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, organizator i kësaj veprimtarie kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celularë.
Ndaj të ndaluarit materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” e kryer në bashkëpunim, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.



