
Familjet shqiptare duket se po zvogëlohen çdo ditë edhe më shumë, duke lënë pas traditën e familjeve të mëhershme të mëdha.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i lindjeve përgjatë 3 mujorit të dytë të vitit 2022, nga prilli deri në qershor është 5 384 lindje, një rënie me 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021.
Sakaq, shtesa natyrore e popullsisë pasqyron trend pozitiv në tremujorin e dytë të këtij viti me 468 lindje më shumë se sa vdekje.
Sipas INSTAT-it, pesë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë pasqyrohet negative.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 821 lindje më shumë se sa vdekje. Kurse qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 193 vdekje më shumë se sa lindje.
Të gjitha qarqet e vendit, në tremujorin e dytë të vitit 2022, kanë shënuar ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit pararendës.
Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1 mijë e 940 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 85 lindje.
Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë qarku i Beratit me 9,0 për qind, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 25,4 për qind.
Nga ana tjetër, të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar ulje të numrit të vdekjeve në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2021.
Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 97 vdekje, kurse qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1 mijë e 119 vdekje.
Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të dytë të vitit2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, e zë qarku i Kukësit me rënie prej 30,2 për qind.



