Ish-deputetja demokrate, Oriola Pampuri, thotë se fushata e re e kreut të PD-së ka synimin t’u tregojë qytetarëve një model të ri lideri. Në studion e emisionit “Stay Tunned”, Pampuri tha se Basha po i bind qytetarët se është aty për t’i dëgjuar.
“Është tregues i rëndësishëm. Nuk është thjesht gjesti. Një lider është aty për qytetarët për t’i dëgjuar. Ne pamë një lider që fatkeqësinë e 26 nëntorit e përdori për t’i tallur ata”, tha Pampuri.
Ish-deputetja tha se dorëzimi i mandateve nga opozita i dha mundësinë kryeministrit të ndërtonte një opozitë siç e donte vetë.
“Ne pasi dolëm nga Parlamenti, por Rama e ndërtoi opozitën siç donte vetë. Tani ka një grup të vetin dhe një opozitë të vetën”, tha ai.
Pampuri tha se votimi i 30 qershorit ka sjellë në krye të pushtetit lokalë njerëz me precedentë penalë që PD i ka denoncuar dhe vijon t’i denoncojë.
“Ne nuk u përfshimë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe mirë bëmë sepse siç e shihni po dalin çdo ditë drejtues lokalë me precedentë penalë. Sot ne i kemi të gjitha mundësitë t’i presim zgjedhjet lokale shumë shpejt. Në momentin që plotësohet Kushtetuesja, gjëja e parë që shqyrton do të jenë votimet e 30 qershorit”, tha ajo.



