Një fotografi e shkrepur në Valbonë është në listën e më të bukurave të National Geographic Traveler për vitin 2024. Rreth gjysma e listës me 30 lokacionet më të bukura është në Evropë, duke përfshirë zona të ndryshme si rrënojat e Pompeit dhe malet e Shqipërisë, të cilat revista i quan "Ylli në rritje i Evropës".
Për ushqimin, muzetë dhe jetën e natës, janë disa vendet që propozon NGT.
Udhëtarët që preferojnë diçka pak më ndryshe nga aventura e tyre e ardhshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë. Kjo pjesë që i plotëson mozaikun ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të saj të Adriatikut dhe Jonit, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit.
Të zhytur në brendësinë veriore, Alpet Shqiptare janë po aq tërheqëse. Të njohura me emrin Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebujt enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë luginën. Ata që kërkojnë të kalojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të nisen në një turne të ri, tetë-ditor, të vetë-drejtuar me Walks Worldëide, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër kalimet malore, shtëpi tradicionale dhe një vizitë në fshatin Theth, ku nis shtegu për ecjen në Majat e Ballkanit.
Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore. Ryanair ka nisur së fundmi fluturimet drejt kryeqytetit Tiranë nga Edinburgh, Mançester dhe Stansted, ndërsa Wizz Air do të operojë nga Birmingham, Edinburgh dhe Liverpool nga 19 dhjetori 2023.
Lista që nis me Valbonën në Shqipëri, vijon me Belfastin në Irlandën e Veriut, fushat në Emiglia-Romagna në Itali, peizazhet piktoreske të Nordlandit në Norvegji, Pompein në Itali, rajonin e Saimaa-s në Finlandë, qytetin Tartu në Estoni, Valetën në Maltë etj.



