Akademiku Artan Fuga, për garën për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar, thotë se Komisioni për Median ka thirrur në dëgjim Këshillin Drejtues të televizionit në shkelje të kompetencave.
Duke folur për MCN Live, Fuga deklaroi se Komisioni i Medias është në shkelje të ligjit.
Fuga shtoi se RTSH është një institucion propagande dhe vetëm kaq, pasi ka një Këshill Drejtues i cili nuk e kryen rolin e vetë dhe në vend të kryejë rolin e vetë, e ka lejuar RTSH të krijojë probleme shumë të mëdha për produksionin dhe rolin që duhet të ketë në shoqëri.
Pyetja e parë, me çfarë tagri i ka thirrur Komisioni i Medias, ku e mbështet, e mbështet në ligj?
Ç’të drejtë ka Komisioni i Medias që të ndërhyjë direkt ndaj Këshillit Drejtues, i cili në bazë të ligjit është autonom për të vepruar ose për të thënë pse kështu apo ashtu.
Kjo mua më krijon një problem, veç problemit që ka Këshilli Drejtues i RTSH.
Problemi tjetër është që edhe nëse Komisioni i Kuvendit mund të ketë të drejtë, ku e gjen tagrin të thotë se nuk janë zbatuar këto rregulla apo ato rregulla.
Ky komision bëhet edhe gjykatë dhe prokurori, i merr dhe kompetencat Këshillit Drejtues të RTSH.
Është një lojë e madhe dhe në gjykimin tim ky Komision shikon që ai Këshill Drejtues veç problemeve që nuk është në rolin e vetë, këtë komision të ndershëm e shqetëson se i ka ikur kontrollit të dy partive politike.
Ligji për RTSH është një hipokrizi e gjallë dhe është ai Kuvend dhe ata deputetë që e mbajnë në fuqi këtë ligj.
Këta gjoja kërkojnë një drejtor që gjoja të jetë autonom, jashtë partive, por kur vjen puna te ligji se si zgjidhet ky Këshilli Drejtues i RTSH, ky këshill zgjidhet nga dy partitë kryesore, nga shumica dhe opozita dhe vetë kryetari i Këshillit Drejtues zgjidhet në mënyrë politike.
Gjoja e propozojnë organizata, por zgjidhet nga politika. I kërkohet të jetë një institucion i pavarur kur dhe Këshilli Drejtues dhe drejtori janë të emëruar nga politika.
Kam frikë se një pjesë e Këshillit Drejtues të RTSH nuk bindet ndaj politikës, është disi jashtë kontrollit.
Një pjesë e Këshillit Drejtues vihen nën interesat e drejtorit. Se ky Këshill Drejtues sa herë ka pasur problemi drejtori, apo tani që janë akuzuar nga KLSH për keqpërdorime parash publike.
Çfarë bën ky Këshill Drejtues? Asgjë! RTSH është një institucion propagande por kaq.
Ne kemi një Këshill Drejtues që nuk e kryen rolin e vetë dhe në vend të kryejë rolin e vetë, e ka lejuar RTSH të krijojë probleme shumë të mëdha për produksionin, rolin që duhet të ketë në shoqëri.
Por ndërkohë duke i shpëtuar kontrollit të politikës, ka hyrë në ingranazhet e interesave të vogla.
Dhe vjen Komisioni i Kuvendit dhe e thërret dhe thotë që këta që janë këtu nuk kanë votuar drejtor të mirë dhe duhet të zgjidhen të tjerë.
Procedurat që deputetët kanë vendosur në ligj janë qesharake. Që të jesh drejtor i RTSH duhet të kesh 10 vite punë, domethënë nëse ke filluar 22 vjeç, 32 bëhesh drejtor.
Dhe duhet të kesh 5 vite punë në menaxhim, por pa specifikuar ku. Janë kritere të vendosura aq dobët sa në krye të RTSH të vendoset me aq pak eksperiencë, sa të jetë nën komandën e politikës.
Këto dy parti shohin që nuk janë ata kandidatura që duhen. Të mos harrojmë se po vijnë zgjedhjet dhe televizioni publik duhet.
Të mos harrojmë që ka një administratë të fryrë, aty alookohen fonde dhe ka shpërdorim të jashtëzakonshëm të parasë publike.
Dhe ky komision thërret për një çështje që nuk i takon fare këtij Këshilli Drejtues. Ata duhet të japin dorëheqjen menjëherë, janë të diskretituar tërësisht.
Jam i sigurt se Komisioni i Medias dhe Këshilli Drejtues kanë rënë dakord.
Komisioni ka të drejtë ta hedhë në gjyq Këshillin Drejtues dhe më pas vendos gjykata.
Po na marrin me zor taksën si televizion publik dhe nuk na pyesin. Nuk ka asnjë transparencë për mënyrën e shpërndarjes së financave dhe buxheteve.
Ne si audiencë paguajmë para, nuk e ndjekim dhe kjo gjendje vazhdon. Na vjedhin paratë nga xhepi dhe nuk japin shërbim.
Ndërkohë që kemi një Komision të Medias që shkel ligjin, na bëhen bashkë dy partitë dhe shkelin ligjin, duke bërë një puç brenda televizionit.
Njëherë e bën Këshilli Drejtues që duhet të dorëhiqet dhe së dyti Komisioni i Medias, që bëjnë presion politik.
Kur ky televizion publik është instrument i dy partive politike, kuptohet që nuk është në atë status me atë të vendeve të Bashkimit Europian.



