Deputeti Ben Blushi dhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, janë përfshirë në një debat lidhur me reformën në drejtësi gjatë seancës së sotme në Parlament. Blushi tha se procesi i vetingut nga disa ministra po interpretohet në mënyrë qesharake.
“Dalin disa ministra dhe thonë se pas procesit të vettingut, do të ndryshojë modeli i këpucëve, do të rritet numri i bletëve në Dibër apo do të ndryshojë çmimi i arrës në Tropojë. Jo të nderuar. Vetingu ka për qëllim që të fusë disa ish-ministra, ish-kryebashkiakë apo qeveritarë vrasës në burg. Kaq e thjeshtë është”, tha Blushi.
Lidhur me procesin e vetingut dhe zgjedhjen e kandidatëve Blushi u shpreh se ky proces është trukuar. “Parlamenti nuk merr çdo vendim. Nuk ndryshon dot jetën e njëriut. Pse e hapët ju garën e vetingut? Pse ju doni të shtoni kandidatë të tjerë? Ju keni bërë një përzgjedhje para përzgjedhjes. Nuk ju pëlqyen dhe vendosët disa të tjerë. Ky proces u komplikua. Reforma në drejtësi filloi me një padrejtësi. Kush e beson këtë reformë në drejtësi. Ju e keni trukuar këtë që ditën e parë”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti socialist, Taulant Balla, tha se Blushi është vetë i paqartë për atë që flet. “Ti vjen i papërgatitur, nëse ne bëjmë një gjë ti zgjedh gjënë tjetër, ti do kishe ardhur përse e bëmë ne, nëse do e kishim bërë nuk e ke lexuar dhe kuptuar asgjë, ne kemi një afat 300 ditë nga dita e hyrjes në fuqi, ç’të të them, nuk e ke lexuar, më vrafshin mua po e ke lexuar t’i ndonjë fjalë, ti maksimumi pi kafe me Shkullakun, Bushatin dhe të thonë ata shko në sallë e thuaj këtë. Erdhe fole dhe minimalisht duhet të thoje një fjalë për bojkotin, se duhet ta dish që ky proces të ecë para do që komisionet ad hock, nuk janë funksional. Nga inati që ke me PS me statutin e të fillosh të gënjesh që në 2005 të ka kërkuar Edi veting se ka kërkuar të fusë Mimin, këto janë abuzime. Ditën e që humb fillin e historisë e kalon në histori të vjedhura kjo nuk të nderon. Duhet t’i drejtohesh pjesës që mungon që ti je bashkuar me ta, por meqë do të bësh të baraslarguan filloje nga problem i themelor, pra bojkoti nuk bëhet për zgjedhje të lira, as për votim, por për të bojkotuar komisionet ad hock ”, tha Balla.



