Ai është një nga yjet më të famshëm të futbollit francez, por fituesi i Topit të Artë të vitit 2022, Karim Benzema e gjen veten të zhytur në polemika politike mes luftës së vazhdueshme Izrael-Hamas.
Duke folur për gazetën franceze CNews të hënën, ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin e akuzoi Benzeman për lidhje me Vëllazërinë Myslimane, një grup fetar dhe politik të cilin Franca e konsideron organizatë terroriste.
Në intervistën televizive, Darmanin tha:
Ne kemi mbyllur 1100 institucione islamike. Dhe në javët e fundit, kam qenë tejet i interesuar, pasi Benzema është i lidhur, ne të gjithë e dimë këtë, veçanërisht me Vëllazërinë Myslimane.
Vëllazëria Myslimane krijon një “xhihadizëm atmosferik”, siç do të thoshte Gilles Kepel.
Darmanin nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij.
Benzema fitoi pesë herë Ligën e Kampionëve të UEFA-s dhe shënoi 354 gola për Real Madridin, përpara se të bënte një lëvizje verën e kaluar te skuadra e Arabisë Saudite, Al-Ittihad.
Sulmuesi ka 97 paraqitje për kombëtaren e meshkujve të Francës, duke shënuar 37 gola dhe njihet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj francezë të të gjitha kohërave.
Akuzat e Darmanin vijnë pasi Benzema postoi mbështetjen e tij për palestinezët të dielën në luftën e vazhdueshme të Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 3500 palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Sulmet izraelite në Gaza pasuan një sulm terrorist në shkallë të gjerë në Izrael të kryer nga sundimtarët e Hamasit më 7 tetor, i cili vrau 1400 persona, sipas zyrtarëve izraelitë.



