Prej shtatë ditësh, aksi Librazhd–Përrenjas vijon të mbetet i bllokuar për këmbësorë dhe automjete si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut në fshatin Dragostunjë, duke izoluar zonën e juglindjes së vendit.
Autoritetet po punojnë intensivisht për stabilizimin e situatës, ndërsa paralelisht po shqyrtohen projekte alternative për rikthimin e qarkullimit.
Në një lidhje direkte për ‘MCN Live’, gazetarja Entela Duka dha më shumë detaje mbi zhvillimet në terren, duke theksuar se punimet pritet të zgjasin.
U bënë 7 ditë që juglindja është e bllokuar dhe duket që punimet do të marrin kohë deri në rikthimin e aksit në normalitet. Është punuar gjatë gjithë ditës së djeshme, ndërsa paralelisht është ndërhyrë edhe në lumin Shkumbin, ku është bërë i mundur devijimi i tij në anën e majtë për ndërtimin e një rruge të re alternative prej 1.3 kilometrash.
Pritet projekti i ri për të nisur më pas puna në terren. Përpos këtij aksi alternativ, për Korridorin 8 po shqyrtohet rishikimi i projektit ose vijimi me projektin e vjetër me disa ndryshime të vogla në segmentet problematike.
Sipas saj, deri tani është bërë i mundur demontimi i linjave të tensionit të lartë, ndërsa Policia bashkiake e Librazhdit ka rritur perimetrin e sigurisë me 3 kilometra. Gjithashtu, është vendosur sinjalistikë në rrugën alternative për të orientuar qytetarët.
Sa i përket emergjencave, banorët e fshatit Dragostunjë po përdorin një alternativë kodrinore për të lëvizur në këmbë, ndërsa ambulancat po qarkullojnë përmes rrugës së vjetër Egnatia.
Autoritetet bëjnë me dije se puna do të vijojë në ditët në vijim, ndërsa pritet një vendimmarrje përfundimtare mbi projektin që do të rikthejë qarkullimin në këtë segment të rëndësishëm rrugor.



