Gazetari Arsen Rusta zbuloi për MCN Live të tjera detaje nga skema kriminale e Call Center-ave, që operonte nga një kullë në zemër të Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi. Ndërkohë vijojnë kërkimet për kapjen e tre vëllezërve Prekaj.
Rusta tregon se kulla pranë Kishës Ortodokse ishte baza kryesore, dhe më pas gjithçka është transferuar në kullën te Rruga e Elbasanit, në katin e 5-të.
Gjatë këtij procesi është synuar fshehja e provave, por DVR i ka dhënë mundësi BKH-së të ekzaminojë personat. Përmes kamerave bëhej vëzhgim në distancë se kush hynte dhe dilte në këto ambiente.
“Më 16 janar rezulton që një pjesë e mbetur e biznesit të Call Center-it transferohej nga njëra kullë në tjetrën në kryeqytet, për të kaluar nga kati i 12-të dhe i 13-të i kullës nga Kisha Ortodokse në kullën te rruga e Elbasanit, e njohur si Down Town. Përmes një kontratë qiraje në pronësi të C Properties, biznesi Infinite e ka marrë këtë ambient me qira.
Teksa bëhej transporti i materialeve, përfshi servera, kompjutera, kabuj, dokumentacion, ka rezultuar se përgjatë aksionit të BKH dhe Antimafias italiane, disa nga këta shtetas kanë tentuar të fshehin provat, të mos lejojnë kontrollin dhe të fshijnë kamerat e sigurisë. Por DVR-të i kanë dhënë mundësi BKH-së, që ka ekzaminuar personat, automjetet që kanë lëvizur, për të të shkuar te destinacioni final që ishte kati i 5 i zyrave të Infinite.
Aty janë bërë arreste në kushtet e flagrancës dhe janë mbledhur prova materiale. Në një kosh mbeturinash është tentuar fshehja e provave, por edhe ky kosh është sekuestruar nga BKH dhe SPAK. Gjatë kontrollit në 28 ambiente janë gjetur dhe sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, pajisje memorizuese. S’është vetëm Infinite. Rezulton se një polic italian së bashku me djalin e tij ishte pjesë e këtij grupi kriminal.
Një efektiv i policisë italiane ishte pjesë e grupit kriminal, pasi djali i tij rekrutonte stafin, që bënin një jetë luksoze në kryeqytet duke mashtruar qindra mijëra qytetarë europianë. Kanë pasur një strukturë monitorimi dixhital, monitorimi fizik, me agjentë dhe punonjës të Call Center-ave për të parë kush hyn dhe kush del. Në kullën e parë, ku ka ushtruar veprimtarinë ky Call Center ndodhet edhe ambasada izraelite. Kulla në qendër të Tiranës ishte baza kryesore. Gjithçka është transferuar në një tjetër kullë, në katin e 5-të të Down Town-it.
Është marrë me qira nga të dyshuarit vëllezërit Prekaj, që është përdorur fillimisht për zhvendosjen e bazës materiale. Në kullën e dytë s’kishte aktivitet mashtrimi, por ishte baza materiale për ta rivënë në punë aktivitetin që ishte shkëputur në kullën e parë. Kulla e parë është ndër më të rreptat për shkak të pranisë së Ambasadës së Izraelit. Me burime kemi mësuar që në qendër janë vëllezërit Prekaj, por a ka njerëz pas tyre, kjo mbetet për t’u parë.
Ky mund të jetë thesari i radhës për SPAK për prova dhe fakte. Kemi një grup të strukturuar kriminal me pasoja të mëdha. Agjentët e kamufluar, apo punonjësit e tyre, bënin një vëzhgim në distancë kush hynte dhe kush dilte në këto ambiente. Si vendosen kamerat në një kullë apo ambient të marrë me qira s’di ta them. Kamerat i përkasin kullës së parë.



