
Me falenderime, elozhe dhe një ndjenje keqardhjeje për Mirlinda Karçanaj dhe pozitën e saj në raport me drejtësinë e nisi kryeministri prezantimin e Igli Tafës në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Kreu i qeverisë foli për njohje të vjetra me ish-drejtoreshën e Akshit dhe akuzoi portalet për dhunë dhe sulme verbale, duke lënë të kuptohet se Karçanaj nuk ka lidhje me grupin e struktutuar criminal për të cilin akuzohet nga prokuroria e Posaçme.
Në radhë të parë desha të vij vetë për të bërë një falënderim për Linda Karçanajn, e cila ka punuar pranë meje për dy dekada, që kur kemi qenë në bashkinë e Tiranës. E njoh si një njeri të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend.
Ju e njihni dhe besoj se ndani mendimin se Linda ka qenë e para që vinte në punë dhe fundit që largohej. Jam pikëlluar për gjithçka që ajo po kalon, për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale, që e asociojnë me gjera të cilat nuk kanë lidhje me Lindën.
Kryeministri mohoi të kishte dijeni për kompanitë e përfshira në hetimin e Prokurorisë së Posaçme që lidhen me Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe një sërë emrash të tjerë që paracaktonin tenderat e AKSH-it.
Unë nuk hyj në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e këtyre kompanive të përfshira në një hetim, por kam dijeni për faktin që Linda është një nënë e vetme me dy fëmijë. Ka një karriere nga më të shkëlqyerat.
Me të gjithë partnerët e nivelit të lartë të AKSHI-t, Microsofet etj. Unë kam dëgjuar fjalët më entuziaste dhe mbresat e jashtëzakonshme për ju dhe Linda Karcanaj. Ajo ndodhet në një kalvar nga ku unë besoj se do të dalë e pastër, por i takon drejtësisë ta thotë këtë gjë. Kjo nuk do të thotë që ti hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe ti hidhet poshtë revolucioni.
Ndërsa Tafa, në fjalën e tij të parë në krye të AKSHI, tha se fokusi i punës së tij do të jetë tek implementimi i IA në fushën e digjitalizimit dhe prokurimeve.
Dorëheqja e Karçanaj erdhi vjen disa javë pasi ajo u vu në “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve penale për prokurimet në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ndaj saj Prokuroria e Posaçme ka ngritur 3 akuza, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si pjesë e një grupi në krye të të cilit qëndronte Ergys Agasi.



