
Deputeti demokrat Edmon Spaho në një intervistë për MCN ka komentuar lidhur me akuzat ndaj Berishës të cilat i ka konsideruar si sulm të mirëfilltë politikë.
Ai tha se konvertimi i truallit të kompleksit sportiv ‘Partizani’ është bërë nga Edi Rama dhe se duhet të jetë ai i pari që duhet hetuar.
Sipas Spahos, Berishën janë duke e marrë të pandehur duke shkelur kushtetutën, prandaj ai nuk ka arsye për tu paraqitur në gjykatë.
Intervista e plotë
1.Gjykata sot ka caktuar seancë për Berishën për vlerësim e masës së sigurisë detyrim paraqitje. Si e shihni këtë?
Sulm i mirëfilltë politik ndaj Berishës dhe PD. Pas tre vitesh hetimesh prapë janë me statusin e personave në hetim dhe tre vite nuk prodhuan asnjë fakt dhe provë epur të vërtetuar atë që pretendon prokuroria. Nuk është e hera e parë, prej 2 vitesh Berisha dhe PD janë në sulm të vazhdueshëm nga Rama për ta zëvendësuar opozitën reale me një opozitë kukull si ajo e Bashës. Po të shohësh privatizimin e klubit partizani ajo ka nisur që në kohën e Fatos Nanos, dhe konvertimi i truallit është bërë nga vetë Rama, lejet e ndërtimit janë dhënë nga Rama, dhe për këtë punë tani u dashka të japë përgjegjësi Berisha dhe Malltezi. Pavarësisht përpjekjeve nga maxhoranxha jemi më të vendosur se kurrë për të vazhduar rrugën tonë për rrëzimin e këtij regjimi. Një tjetër fakt që tregon se është sulm politik nga Rama faktin se sipas kushtetutës duhet ti drejtohen kuvendit për lejen penale të ndjekjes së një deputeti, por kaq të pafytyrë janë në veprimet e tyre sa as këtë hap procedural se kanë bërë duke shkelur të gjitha rregullat dhe veçanërisht kushtetutën.
2. Berisha tha se është i gatshëm të shkojë në gjykatë por vetëm përmes zbatimit të ligjeve, si mund të ndodhë kjo?
Berisha dhe PD kanë kërkuar vazhdimisht që deputetëve tu hiqet imuniteti në rastet e ndjekjeve penale, maxhoranca e ka refuzuar dhe hedhur po ashtu dhe janë po ata që tani e shkelin me të dyja këmbët. Është e pamundur që ai të shpallët i pandehur dhe të paraqitet në gjykatë në momentin që nuk është marrë leje, apo nuk i është hequr imuniteti. Pa kaluar në këto hallka Berisha s’ka pse të paraqitet në gjykatë.
3. Çfarë masash do merrni ju?
Do përdorim të gjitha format që kemi në dispozicion, veçanërisht protestat që do ja bëjnë jetën të papërballueshme kësaj maxhorance e cila i ka shpallur luftë opozitës në të gjitha frontet. Diktaturat përballohen me forcë, revoltë, radikalizëm të reagimit opozitar dhe këto do duhet të bëjmë. S’ka pse të kemi ndrojtje nga përdormi i forcës dhe radikalizmi për aq kohë sa ky është mjeti i fundit i një opozite që përballet me një diktaturë.
4. Ka akzua se Rama fshihet pas kësaj cështje apo ka ngelur në formën deklarative?
Nuk ngelen në formë deklarative sepse Rama ka qenë ai që ka bërë thirrje SPAK që arrestoni Berishën, fakti që gjatë 3 vite s’kanë gjetur prova tregon se kjo është një çështje e stisur. Për çështjen e kompleksit partizani në radhë të parë do duhet të merret Rama. Pse duhet që ky kompleks të jetë i vetmi kur tjetërsim ka ndodhur dhe për portin e Durrësit, apo atë të tetarit. Pse kthimi i tokës pronarëve të ligjshëm duhet trajtuar si shkelje e ligjit.
Protesta ndaj këtij regjimi ka nisur që javën e kaluar me bllokimin e kuvendit, por njëkohësisht do mblidhen strukturat e PD dhe do vendosim për vijimin. Janë me dhjetëra padi që janë bërë ndaj Edi Ramës në SPAK dhe nuk fillojnë hetimet. Marrim rastin e inceneratorëve ku fare qartë për këdo është përgjegjësi kryesor. 17 vendime në një ditë ka firmosur dhe SPAK nuk ka kurajo dhe guxim ta marrë në hetim.
5. Rama ka heshtur për këtë çështje të kompleksit partizani, pse?
Po hedh gurin dhe fsheh dorën. Në pozicionin e kryetarit të bashkisë në atë kohë ka marrë vendime të cilat kanë të bëjnë me tjetërsimin e truallit nga objekt sportiv në objekt për ndërtime, prandaj i pari që duhet hetuar është Rama dhe qeverisja e PS para 2005.
6. Si do të jetë kjo betejë, a ka një skenar?
Ne kemi një plan të vetëm dhe ajo është përballja me maxhorancën dhe qeverisjen e Ramës. Ju i keni parë deklaratat ku të gjithë janë shprehur se është shkelur kushtetuta në rastin e Berishës që nuk është marrë leja nga kuvendi. Sa i përket axhendës në parlament e gjithë PD është shprehur në mbështetje të Berishës me deklarata dhe prononcime në media. Në parlament do vijojnë kolegët e tjerë deputetë, kështu që ka mjaftueshëm për të vazhduar atë që kemi vendosur.



