Debati që hapi testi i gjuhë-letërsisë dhe protesta e maturantëve që pasoi ka futur në lojë edhe politikën. Në emër të LSI-së, Luan Rama, tha sot se ky test i shumëdiskutuar përgjatë tri ditëve të fundit është në fakt tregues i dështimit të një reforme të tërë.
“Mjafton edhe një test mature, për të kuptuar në thelb dështimin e një reforme të tërë. Mjafton për të kuptuar politika arsimore të dështuara, të inicuara prej një tufe dështakësh kokëboshë. Injoranca e mosdija nuk janë as faj dhe as mëkat”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cilëson reagimin që pasoi provimin e maturës “një stër-politizim të skajshëm dhe të tmerrshëm”.
Shahini shprehet se ky debat shpërqendroi nxënësit nga puna që duhet ta bëjnë për t’u përgatitur për provimet e radhës dhe keqinformoi në debatin kombëtar për arsimin.
Ajo thekson se Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe Komiteti i Maturës Shtetërore (KOMSH) kanë adresuar të gjitha shqetësimet që janë ngritur nga nxënës dhe mësues për mënyrën se si është zhvilluar Matura Shtetërore këtë javë dhe për dy provimet që do të zhvillohen javën tjetër.



