Një fabrikë çokollate Kinder në Belgjikë është urdhëruar të mbyllet pasi dyshohet të ketë lidhje me dhjetëra raste të salmonelës, të zbuluara kryesisht te fëmijët.
Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës ka urdhëruar gjithashtu tërheqjen e të gjitha produkteve Kinder të prodhuara në fabrikën në Arlon, e cila është në pronësi të Ferrero.
Rastet e dyshuara të salmonelës në çokollatat Kinder janë raportuar në disa vende duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën.
Ferrero ka kërkuar falje dhe ka pranuar dështimet e brendshme.
Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës, AFSCA, tha se fabrika u urdhërua të mbyllej pasi Ferrero nuk ishte në gjendje të jepte informacion të plotë për hetimin e saj.
AFSCA tha se hetimi ishte në proces dhe fabrika do të lejohej të rihapte vetëm nëse Ferrero mund të jepte garancitë e nevojshme që ajo ishte në përputhje me rregulloret e sigurisë ushqimore.
Ministri belg i Bujqësisë David Clarinval tha në një deklaratë: "Një vendim i tillë nuk është kurrë i lehtë, por rrethanat aktuale e bëjnë të nevojshme. Siguria ushqimore e qytetarëve tanë nuk mund të neglizhohet kurrë."



