Katër raste të reja janë konfirmuar me Covid-19 në Shqipëri, gjatë 24 orëvë të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 55 persona. Ndërkohë, nuk ka një zgjerim të hartës së qyteteve të prekura.
Lajmi është konfirmuar nga Dr. Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP.
Ajo, tha se sipas skenarit, pas spitalit Infektiv, spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital Covid-19
42 persona të dyshuar, janë testuar gjatë 24 orëve të fundit, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me Covid-19.
Gjithsej, 605 raste të testuara të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 55 raste.
Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë, 38 raste
Durrës, 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje, 2 raste
Elbasan, 2 raste
Fier, 6 raste
Rrogozhinë, 2 raste
25 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina). Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Tetë mjekë dhe infermierë në spitalin “Shefqet Ndroqi” me Covid-19: Lajmi u konfirmua të martën nga përgjegjësja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Dr.Silva Bino, e cila tha se këtë spital janë kryer 89 teste për personelin mjekësor, nga të cilët pozitiv kanë rezultuar 8. Bino, nënvizoi se pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas saj, nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Ajo theksoi se i gjithë personeli është në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.
Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital Covid: Për të lehtësuar fluksin në spitalin Infektiv, Bino bëri të ditur se spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.
Apeli për mjekët, të zbatojnë me kujdes masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit.
Testimet: Të gjitha rastet e testuara kanë qenë raste të dyshuara. Ne po përpiqemi të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Këtu po përqëndrohet puna e të gjithë shërbimit në këto momente.
Thirrja për qytetarët: Ju lutemi mos shkoni menjëherë në spital. Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes!
Izolimi social: Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.



