
Komisioni Europian po përgatit një plan emergjence gazi që do të nisë në rast se Rusia ndërpret furnizimet në BE, siç ka bërë tashmë me Poloninë dhe Bullgarinë.
Plani, i raportuar sot nga gazeta spanjolle El Paìs, do të prezantohet më 18 maj dhe parashikon masa emergjente që do të prekin të gjitha vendet anëtare të BE-së: ato që kanë burime të tjera furnizimi, si Spanja, e cila ka një kapacitet të mirë për rigazinifikimin, do të duhet të ndajnë gazin e tyre me vendet e prekura nga shkurtimet e bëra nga Rusia.
Komisioni do të kërkojë gjithashtu që racionimi i furnizimit me gaz, i cili do të niste nga sektori industrial, të zbatohet në mënyrë të tillë që kompanitë në një vend që nuk vuan nga problemet e furnizimit të mos kenë avantazhe konkurruese ndaj atyre që operojnë në më shumë shtete anëtare të goditura nga Moska.
Për të shmangur racionimin e energjisë, disa vende anëtare kanë miratuar masa për të kufizuar konsumin, duke filluar nga inkurajimi i transportit publik deri te ulja e temperaturave në ndërtesa, shërbime publike dhe pishina.
Sipas El Paìs, Komisioni Europian, po përgatitet të përdorë rregulloren e vitit 2017 për sigurinë e furnizimeve, për të vendosur masa që garantojnë ardhjen e gazit për përdoruesit e mbrojtur, familjet dhe shërbimet thelbësore sociale, në të gjitha vendet dhe që zbutin pasojat ekonomike dhe sociale të një emergjencë e mundshme, e cila do të shkaktohej nga një ndalim i papritur i furnizimit me gaz nga Rusia.
Sipas rregullores së vitit 2017, çdo vend i prekur mund të shpallë një emergjencë në nivel kombëtar, por mund të përdorë edhe klauzolën e solidaritetit, e cila do të detyronte vendet fqinje ta ndihmojnë. Komisioni është përgjegjës për shpalljen e një emergjence rajonale ose në mbarë Bashkimin Europian, nëse kriza e furnizimit do të përhapet.
Sipas burimeve europiane të cituara nga El Paìs, nëse ndërprerja e gazit rus do të ishte e plotë, atëherë masat e kontrollit të parashikuara nga rregullorja duhet të zbatohen në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Në këtë rast, Komisioni do të kontrollojë nëse klauzola e solidaritetit zbatohet drejt nga të gjithë. Masat e para parashikohen vullnetare, me synim uljen e konsumit në sektorin industrial. Por, në rast emergjence, shtetet do të duhet të vendosin racionimin ose pezullimin e furnizimeve, si për të mbuluar kërkesën e klientëve të tyre thelbësorë familjet dhe shërbimet thelbësore sociale dhe për të ndihmuar vendet fqinje të mbulojnë kërkesën e të njëjtit grup përdoruesish.



