Arlind Qori thotë se 2023 ishte viti i radhës i degradimit të sistemit të vjetër partiak, dhe se këto 2-3 vitet e fundit po përshpejtohet degradimi dhe ky degradim shihet më shumë tek partia në pushtet.
Në emisionin “Bilardo” në MCN TV ai deklaroi se kur je në opozitë, nuk ke pushtet dhe as privilegje dhe kontradiktat shpërthejnë më shpejt dhe më dukshëm.
2023 ka qenë viti ynë politik, gjithë veprimtaria jonë politike, tek fakti që nuk donin të na regjistronin si parti.
Arritëm në zgjedhjet e 14 majit të marrim një rezultat shpresëdhënës për ne dhe për qytetarët që na takojnë në rrugë. Ka qenë vit mjaft intensiv për ne.
Kur thua i suksesshëm varet me çfarë e mat suksesin. Rezultati dhe reagimi i qytetarëve ndaj nesh ka qenë goxha i mirë dhe shpresëdhënës.
Ndërsa për biznesmenët dhe oligarkët tha se këta personazhe shërbejnë dhe si rrufepritës ndaj atyre që kanë shumë pushtet dhe shumë para por nuk i pret kush.
Oligarkët si Samir Mane, Shefqet Kastrati, Pëllumb Salillari etj., të cilët kanë shumë pushtet.
Këta janë ortakët e tyre, partnerët e tyre, shërbëtorët e tyre dhe të shash këta del nga televizioni nga mëngjeset deri në darkë.
Të shash këta ke shumë probleme, që nuk të nxjerrin në televizion. Nuk më ka kërcënuar njeri deri më sot. Nuk jam hero i gjallë si Borselino apo Falcone.
Sigurisht që më kanë censuruar dhe do më censurojnë, mua nuk do më shikosh tre herë në ditë në televizion.
Nuk dua të luftoj për vete dhe këtë e kam treguar dhe si kryetar i Lëvizjes Bashkë që zakonisht zgjedh luftërat më të vështira.
Unë nuk e vendosa veten këshilltar bashkiak i Tiranës ku mund të fitoja, por e vura kandidaturën për kryetar bashkie.
Direkt pas zgjedhjeve lokale, kam bërë një zotim, që unë nuk do të jem i pari i Lëvizjes Bashkë për deputet. Se për mua politika është të japësh shembull përmes sakrificës, me dinjitet.
E mira do ishte që faktorët opozitarë të gjenin gjuhën e bashkëpunimit. Mirëpo unë ua kam frikën pseudo-bashkëpunimeve.
Populli shqiptar ka nevojë që të shohë që ti nuk bëhesh palë me të keqen, nuk futesh në asnjë çadër.
Ndonjëherë pyes veten sikur një marsian të vinte të lexonte Kushtetutën e Shqipërisë, mos të dinte asgjë. Thjesht të kishte njohuri nga librat dhe të lexonte Kushtetutën.
Besoj se do thoshte se është një vend mesatarisht demokratik, liberal, me demokraci përfaqësuese. Nuk besoj se në Kushtetutë do gjente përgjigjen për disfunksionalitetin.
Nuk besoj se na duhet të rishpikim rrotën. Nuk na duhet një rithemelim kushtetues. Sistemi kushtetues ca liri liberale, pak shtet social. Është pak a shumë ajo që gjen nëpër letra.
Këtu Kushtetuta është fasadë, se mënyra se si ushtrohet konkretisht pushteti, nuk ka lidhje me Kushtetutën.
Kur dikush bëhet Kryeministër thuhet se u ngarkua me detyrën e Kryeministrit, që do të thotë është detyrë e madhe, nuk është e privilegj.
Por de fakto ata që bëhen Kryeministra janë njerëzit më të lumtur në botë, se thonë prej këtij momenti e tutje do vjedhim vetë, do vjedhim kushërinjtë tanë, shokët tanë, oligarkët, partia dhe askush nuk do të na vërë fre, për mënyrën si abuzohet.
Nuk shoh që ka ndonjë alternativë substanciale, ndaj asaj që njihet si demokraci liberale.
Sigurisht që demokracia liberale duhet të jetë më pjesëmarrëse, njerëzit mund të kenë më shumë hapësirë për iniciativa ligjore, referendume.
Duhet kontrolluar mjaft financimi i partive, duhen kufizuar pabarazitë ekstreme. Revolucion do të thotë një ndryshim i shpejtë, i fortë dhe substancial.
Por jo domosdoshmërisht revolucioni duhet të jetë i dhunshëm. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, të fortë, të modelit të zhvillimit dhe demokratizimit të vendit.
Unë jam për metodën e rezistencës paqësore. Jam dhe mendoj se rruga e duhur në Shqipëri është një lëvizje e madhe shoqërore që do të prodhojë ndryshime në mënyrë paqësore dhe të vërteta.
Pas ndryshimit politik na duhet një model i ri zhvillimi, sepse mbetëm me një model zhvillimi ky kemi nevojë për remitanca, leje zhvillimi. Kemi nevojë për një ndryshim që është dhe politik dhe ekonomik.



