
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë Kosovën, ku një burrë qëlloi për vdekje bashkëshorten me dy djemtë e tij dhe më pas veten. Sipas mediave vendase, ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Pozhoran të Komunës së Vitisë. Nga hetimet paraprake, rezulton se shtetasi me inicialet F. Z., me armë zjarri ka qëlluar bashkëshorten e tij, M. Z. dhe dy djemtë e tij H. Z. dhe A. Z., ndërsa në fund ka kryer vetëvrasje. Akti i rëndë dyshohet se ndodhi pas një konflikti familjar. Familja mësohet se jetonin në Zvicër, por ishin kthyer në vendlindje për festat e fundvitit.
Ndërkohë, nënkoloneli Remzi Azemi është shprehur për media se për zbardhjen e ngjarjes janë marrë dëshmitë e disa banorëve që janë fqinj edhe me viktimat. Sipas hetimeve, nuk rezulton se ka pasur dëshmitarë të tjerë në shtëpi, ku u vranë katër anëtarët e familjes Zuka.
“Pos hetuesve të forenzikës, kemi shpërndarë hetues që po hulumtojnë të gjejnë dëshmitarë apo familjarë që kanë njohuri rreth ngjarjes. Deri më tash kemi intervistuar disa dëshmitarë. Për momentin nuk kemi njohuri që ka qenë ndonjë dëshmitar tjetër në shtëpi”, ka thënë Azemi.
Ai ka shtuar se në bazë të kontaktit me stacionin policor në Viti nuk ka ndonjë informatë për ndonjë problem të hershëm që ka pasur kjo familje.
“Ju siguroj të gjithëve që do të hetojmë çdo detaj, do të gjurmojmë çdo informacion të mundshëm e nuk do t’i lëmë asgjë rastit. Është objektivi ynë që ta hetojmë çdo detaj, t’i kemi gjitha informatat për të ardhur në përfundim lidhur me këtë ngjarje që na ka tronditur të gjithëve. Nëpërmjet zyrës tona ndërlidhëse do të kërkojmë nga autoritetet e shtetit evropian ku kanë jetuar familjarët që të kemi informacione më tepër”, ka thënë Azemi.

(Dy viktimat)



