
Samiti i fundit përcolli mesazhin e aleancës se NATO është e gatshme t’i përgjigjet çdo aventure të presidentit rus. Në studion e lajmeve të MCN TV, përmes një lidhjeje Skype, Ardian Shtuni, ekspert për çështje ndërkombëtare dhe sigurisë në SHBA, tha se samiti i fundit e ka vënë aleancën në një situatë që duhet të rikonfigurojë qasjen ndaj Rusisë dhe që theksin e vuri te zgjerimi dhe shtimi i kapaciteteve për t’u përballur me rrezikun rus.
Sinjali është se NATO është e gatshme t’i përgjigjet çdo aventure të Putinit.
Shtuni tha më tej se konflikti në lindje të Europës ka gjasa të zgjasë.
Rusia ka hapur luftë edhe me Gjeorgjinë në 2008. Por ky i Ukrainës shihet si një moment kritik edhe nga shtetet fqinje. Ky konflikt ka rrezik të përshkallëzohet dhe kërcënon NATO-n dhe vendet e Europës. Ka disproporcion mes forcës së ushtrisë ruse dhe aftësisë së saj për të arritur qëllimet e saj mund të çojë në zvarritje të konfliktit.
Ndërsa anëtarësimin e Kosovës në NATO, Shtuni e sheh si një mundësi që hapet vetëm pas normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO është shumë i nevojshëm. Ka shumë faktorë që ndikojnë në anëtarësimin e saj dhe një nga kriteret që duhen përmbushur është të njihet Kosova nga katër vendet kryesore të NATO-s. Për të arritur te kjo njohje, duhet që më së pari, Kosova të arrijë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.



