
Kompania gjermane EMS Shipping, që ka me koncesion terminalin lindor në Portin e Durrësit kërkon 40 milionë euro kompensim nga qeveria shqiptare për thyerje të njëanshme të kontratës koncesionare në Gjykatën e Arbitrazhit të Uashingtonit.
Duke folur mbi këtë çështje në edicionin e lajmeve në MCN TV gazetari Klodian Tomorri thotë se kompania gjermane pretendon se ka pasur sjellje armiqësore nga qeveria Rama, që nga momenti i pare pas ardhjes në pushtet.
EMS pretendon se është detyruar t’i dorëzojë territorin kompanisë Eagle Hills, dhe qeveria s’u ka dhënë zgjidhje tjetër. Tomorri thekson se fakti që është regjistruar një çështje në Arbitrazh, tregojnë që alternativat e tjera janë ezauruar të gjitha, dhe tashmë fjala i mbetet gjykatës.
Koncesioni i terminalit lindor në Portin e Durrësit është dhënë në fillim të vitit 2013 nga ish-qeveria e PD. Procedurat për dhënien me koncesion kanë nisur në 2012-ën dhe marrëveshja koncesionare është finalizuar në mars 2013-ës, pak muaj para rotacionit të pushtetit. Kompania gjermane EMS pretendon se që nga momenti i parë i ardhjes në pushtet qeveria Rama ka pasur sjellje armiqësore ndaj saj dhe e ka dëmtuar me vendimmarrjen e saj. Kjo vendimmarrje kulmoi në 2020-ën, kur qeveria amendoi marrë veshjen koncesionare të portit në Porto Romano, të kompanisë Kastrati, duke i dhënë të drejtë që veç karburanteve të përpunonte edhe mallrat e tjerë. Kulmi tjetër ishte në 2022-shin, kur qeveria shqiptare avancoi projektin e Portit Turistik të Durrësit me kompaninë Eagle Hills. Gjatë kësaj periudhe kompania gjermane pretendon se e ka informuar në vijimësi qeverinë për shqetësimet e saj, por s’ka marrë përgjigje, dhe ajo është e detyruar t’i dorëzojë territorin e saj kompanisë Eagle Hills. Kompania gjermane thotë se ne praktikisht me këtë na mbyllet koncesioni dhe qeveria s’na ka dhënë një zgjidhje tjetër. Qeveria thotë së kompania gjermane nuk ka përmbushur detyrimet e kontratës koncesionare, dhe pavarësisht kësaj i kemi ofruar disa variante që ta vazhdojë marrëveshjen koncesionare dhe të transferohet në Portin e Kastratit deri në Portin e Ri në Porto Romano. Palët s’kanë arritur gjuhën e përbashkët dhe kemi hapjen e një çështjeje arbitrazhi. Zgjidhjet me mirë kuptim ndodhin para ngritjes së padisë në Arbitrazh. Pala që pretendon se është e dëmtuar, duhet të vërë në dijeni palën tjetër, qeverinë, për shkeljet dhe dëmet që ajo pretendon dhe duhet të kërkojë korrigjimin e tyre brenda një periudhe, në se pala tjetër s’reagon, shkohet në Arbitrazh. Fakti që është regjistruar një çështje në Arbitrazh, tregojnë që alternativat e tjera janë ezauruar të gjitha, dhe tashmë fjala i mbetet gjykatës”.
I pyetur nëse BE ka ndonjë rol në raport me këtë çështje, Tomorri shprehet:
BE s’ka rol sepse është mosmarrëveshje tregtare mes një kompanie private dhe qeverisë. Lind për shkeljet e pretenduara të traktateve dypalëshe të investimeve, që Shqipëria i ka pothuajse me të gjitha vendet e BE. Padia pretendon se Shqipëria ka shkelur traktatin e përbashkët me Gjermaninë. Nuk shoh ndonjë rol të BE. Kompania ka pasur një kontratë për 35 vjet, ka paraqitur një plan biznesi, dhe pretendon që qeveria ia ka ndryshuar rregullat në tavolinë , nuk i del llogaria, dhe tashmë kërkon dëmshpërblimin. Në rastin e procedurave të Arbitrazhit varet çfarë kërkon kompania. Por përgjithësisht kur shkohet në Arbitrazh kontrata ndërpriten dhe kompania kërkon dëmin që ajo pretendon se është shkaktuar nga shkelja e një anshme e kontratës”.
Lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Rama se po shqyrton mundësinë për të dalë nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit, Tomorri tha se ky do të ishte një hap drastik dhe ekstrem. Sidoqoftë gazetari thekson se vendimi s’do të ketë fuqi për çështjet aktuale, por vetëm për ato që do të regjistrohen në të ardhmen”.
Pyetjes se çfarë po bëhet në lidhje me Portin e ri Tregtar, Tomorri i përgjigjet:
S’ka zhvillim dhe mendoj që s’do ketë zhvillim edhe për shumë vjet. Me prishjen e portit ekzistues, për një kohë të pacaktuar aktiviteti portual do zhvendoset në Porto Romano te porti privat i kompanisë Kastrati. Deri tani s’është kryer asnjë procedurë. Procedurat janë lë nënë fazën e përzgjedhjes së kompanisë që do ta projektojë portin, por s’ka avancim në tenderim dhe fillimin e punimeve në terren. Premtimet e qeverisë që do ta ndërtojmë portin në 3-5 vjet duken shumë optimiste, për të mos thënë euforike”.



