Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi foli në një intervistë për gazetarin Mariglen Kume, mbi vendimet kryesore të marra sot nga grupi parlamentar i PD. Bardhi tha se është vendosur të vazhdojë aksioni në Parlament, dhe protesta e deputetëve të opozitës duke pamundësuar një normalitet të funksionimit të Parlamentit. Lidhur me takimin me Nokën dhe partitë e tjera opozitare, Bardhi tha se është i nevojshëm formalizimi i një fronti të gjerë opozitar, apo një koalicioni kundër regjimit të Ramës.
Në fokus ishte aksioni politik i grupit parlamentar të PD dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Absolutisht vendimmarrja e grupit ka qenë që do të vazhdojë aksioni ynë në Parlament, protesta e deputetëve të opozitës duke pamundësuar një normalitet të funksionimit të Parlamentit, derisa t’i kthehet zbatimit të rregullores dhe kushtetutës sa i takon të drejtave të deputetëve të opozitës.
Bashkimi i grupit parlamentar të PD, do të sjellë një bashkim në çdo aspekt të PD-së, për të cilën ne po punojmë. Kjo nuk është një çështje që lidhet me partitë aleate. Ajo që kemi diskutuar në një takim të vogël, të ngushtë, për të diskutuar është se si do të duhet të ecim në bashkimin e çdo partie politike opozitare në një front të gjerë, në një koalicion opozitar, dhe kemi shkëmbyer mendimet fillestare. Ka qenë prezent në atë takim edhe z.Vasili nga Partia e Lirisë. Në parim është rënë dakord që në kushtet ku Shqipëria ndodhet përballë një regjimi autoritar, që kontrollon çdo lloj pushteti, është i nevojshëm formalizimi i një fronti të gjerë opozitar, që përfshin partitë opozitare parlamentare, jo parlamentare, dhe përfaqësues të shoqërisë civile që janë në opozitë.
Ende s’ka një konkluzion që cila është rruga më e mirë, por ka një konkluzion që bashkimi i PD është rruga e vetme që kemi përpara. Kur të kemi një konkluzion do ta bëjmë atë publike. Grupi Parlamentar i PD është bashkuar dhe ka bashkuar forcat, ka ndërtuar dhe koordinuar një aksion të përbashkët, pavarësisht çfarë kemi menduar për zhvillimet në PD. Fokusi jonë ka qenë aksioni i opozitës në Parlament dhe përballja e deputetëve të opozitës me regjimin e Ramës. E vetmja rrugë që kemi përpara është bashkimi, pastaj çështje të posteve, titujve, funksioneve, kanë kaluar gjithnjë në plan të dytë. Objektivi i përbashkët do mbetet përballja me regjimin e Ramës dhe fitorja në zgjedhje”.
I pyetur nëse do ta njohë një ligj të ri zgjedhor me një shumicë votash aritmetike dhe jo me konsensus të gjerë politik, Bardhi tha:
Ajo nuk është një reformë zgjedhore, është një dokument politik i firmosur nga Rama, për t’i siguruar atij fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Procesi zgjedhor përmbledh secilën palë politike, dhe rregullat e lojës si përballen në zgjedhje, si rregull përcaktohet në mënyrë të përbashkët, të gjithëpranuar. Ky është një standard i vendosur nga OSBE-ODIHR dhe që ndiqet në çdo vend demokratik”.
I pyetur nëse ka pasur kontakte me ndërkombëtarët, Bardhi tha:
Po kam pasur kontakte me partnerët ndërkombëtar mbi funksionimin e Parlamentit apo shqetësimet e tjera që ka shprehur opozita. Qëndrimet e tyre do duhet t’i kërkoni te partnerët ndërkombëtarë”.



