Pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika në studion e lajmeve në MCN ka komentuar lidhur me konferencën e dytë me BE-në dhe pritshmëritë për Shqipërinë.
Ai u shpreh se ndarja ka Maqedonia e Veriut është një hap pozitiv për vendin tonë, pasi vetoja bullgare ndaj RMV ka bllokuar dhe Shqipërinë.
Sipas tij detyra që tashmë ka Shqipëria është plotësimi i kritereve të BE, pasi RMV ka probleme kushtetuese me Bullgarinë.
Është një çështje që e kam ngritur dhe më herët se cila do jetë metodologjia e BE në vazhdim lidhur me zgjerimin. Deri tashmë BE kishte mbajtur një praktikë lidhur me atë që është grupimi i shteteve që kanë përparim pothuajse të përafërta. Prej vitesh në rrugën drejt BE kemi qenë të lidhur me Maqedoninë e Veriut, por kjo ka sjell problematika si për njërin shtet ashtu dhe për tjetrin, duke paralizuar njëra-tjetrën.
Vitet e fundit problemet e Maqedonisë me Bullgarinë kanë reflektuar në atë që është pengesa e Shqipërisë për të hapur negocimin e kapitujve të parë. Por e gjithë kjo vendimmarrja e BE tashmë për të ecur një hap më parë me vendet që i kanë përmbushur kriteret është hap pozitiv dhe nxjerr atë që është një zhvillim cilësor që secili shtet duhet të ketë dhe Shqipëria tashmë duhet të plotësojë kriteret e BE-së.
Më tej ai shtoi se momentalisht është diçka përfituese në rastin e Shqipërisë se nuk bllokohet më nga RMV, por mund të sjellë problematika në të ardhmen.
Duhet thënë se janë 6 vite në të cilat BE ka një plan konkret për atë që është zgjerimi i vendeve të Ballkanit perëndimorë prandaj ka vendosur dhe planin e rritjes. Pra janë hapa të cilat BE i ka ofruar drejt këtyre vendeve dhe tashmë topi është në fushën e secilit shtetet. Faktorët e jashtëm nuk kemi fërkime me shtete të cilat mund të shfaqin pengesa për Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë që s’mund të kemi në të ardhmen.
RMV çështjen dhe problematikën e ka kushtetuese me Bullgarinë, janë katër pikat kryesore që Bullgaria ka shprehur kundrejt Maqedonisë së Veriut për të ndryshuar kushtetutën, gjë që nuk ka ndodhur. Bëhet fjalë për pjesën e gjuhës, historike, mësimdhënies dhe minoritetet bullgare. Pra duhet të zgjidhin marrëdhënien mes tyre për të tejkaluar këtë ngërç. Çdo shtet ka në dorë mekanizmin politik për të maksimizuar interesat e tij.



