
LSI do të mbajë më 25 korrik Konventën Kombëtare. Kjo e fundit vjen vetëm një ditë pasi presidenti Ilir Meta përfundon mandatin presidencial, ndaj zërat për rikthimin e tij në krye të LSI-së janë shtuar ditët e fundit. Në studion e lajmeve të MCN TV, Endrit Braimllari tha se ky vendim i takon vetë Metës, por theksoi se me rikthimin e tij në politikën aktive, pritet një ridimensionim i opozitës.
Meta është president deri më 24 korrik. Më pas do t’i drejtohet popullit për të marrë vendime politike. Ky vend ka nevojë për energjinë dhe aksionin e Ilir Metës. Nuk thamë se Meta do të kthehet në LSI.
Di një gjë: me rikthimin e Ilir Metës në politikën aktive, pres një ridimensionim të opozitës. Është çështje e tij ku vendos të pozicionohet. 25 korriku është një datë shumë e rëndësishme, nuk ka më pushime, nuk ka më tërheqje vëmendjeje.
Pas 25 korrikut rikthehet shpresa opozitare, do të ketë një aksion opozitar të vërtetë që kësaj maxhorance do t’i dridhen këmbët.
Braimllari tha se gjatë katër viteve në Presidencë, Meta e ktheu këtë institucion në të vetmen kështjellë të zbatimit dhe mbrojtjes së ligjit.
Në këto vite presidenca mori një rol të jashtëzakonshëm. Duhet të kemi parasysh që nuk ka pasur Gjykatë Kushtetuese, ka pasur qeveri autokrate. Nuk besoj që Rama mund të propozojë një emër më të mirë se ky për president. E vetmja kështjellë në atë bulevard ishte presidenti i republikës.
Në lidhje me marrëdhëniet e LSI-së me PD-në nën drejtimin e Bashës, Braimllari veçoi si gabimin më të madh dorëzimin e mandateve.
Zonja Kryemadhi është e para drejtuese e opozitës që ka pranuar se djegia e mandateve ishte gabim. Ne kemi thënë në atë kohë që do t’ia lëmë kohës, presim që ujërat të qartësohen. Ujërat u qartësuan. Zgjedhjet i humbi direkt Lulzim Basha, ishte ai figura kryesore. 25 prilli konfirmoi se ai ishte i shitur te Rama.



