WhatsApp-i ka arritur dy miliardë përdoruesve në të gjithë botën, duke u klasifikuar i dyti pas Facebook-ut, i cili kryeson me 2 e gjysmë miliardë përdorues.
"Bisedat private që dikur ishin të mundshme vetëm personalisht, tani mund të zhvillohen në distanca të mëdha përmes bisedave të çastit dhe video-thirrjeve. Është nder dhe kënaqësi e madhe që ia arritëm këtij qëllimi", shkruan kompania në pronësi të Mark Zuckerberg.
"Çdo mesazh privat i dërguar përmes WhatsApp-it mbrohet me kriptim fund e krye, i cili e mban të sigurt informacionin e dërguar në bisedë duke ju mbrojtur nga hakerat dhe kriminelët. Mesazhet mbahen vetëm në telefonin tuaj dhe askush tjetër nuk mund t’i lexojë ato që shkruani ose dëgjoni në thirrjet tuaja, madje as ne. Bisedat tuaja private mbeten mes jush", siguron kompania që ka hapur edhe një site kushtuar privatësisë. /Ansa/



