
Mbledhja për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të zhvillohet në datë 15 tetor.
Njoftimi është bërë i ditur për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa në garë për këtë post janë 5 prokurorë, konkretisht Sokol Stojani, Deniona Katro, Elona Alvora, Ludovik Dodaj dhe Zeqir Hoda.
Në mbështetje të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 279, pika 6 dhe neneve 111 e vijues, pas hapjes se vendeve vakant për tre anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm thërret mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Bazuar në nenin 109, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, u bë verifikimi i plotësimit të kushteve ligjore pas mbylljes së afatit për dorëzimin e shprehjeve të interesit, nën përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas përcaktimeve të nenit 105, pikat 2 dhe 4, të këtij ligji, rezultoi se kandidatët që kanë shprehur interesin, për të konkuruar në vendet vakante, plotësojnë kushtet ligjore për të kandiduar si anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë sipas Relacionit nr. nr. 1259/7, datë 27.09.2021. Njoftohen prokurorët e prokurorive të të gjitha niveleve se mbledhja do të zhvillohet në datën 15.10.2021, në ambientet e “Polit të Drejtësisë”.



