Gjykata e Posaçme ka rrëzuar hetimin e SPAK për tenderat e ushqimeve në Ministrinë e Mbrojtjes duke thënë se nuk ka shkelje të barazisë në tendera.
Lidhur me shkeljet e barazisë në tendera gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri tha në studion e lajmeve të MCN TV se nuk ka pasur garë dhe se ka qenë “pazar i rëndomtë dhe faktet në dosje janë të qarta”.
Gazetari gjithashtu tha se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shkelur kriteret ligjore të tenderave. “Përgjegjësitë janë të qarta dhe flagrante” tha Tomorri duke shtuar se më flagriantia është që kompania nuk ka plotësuar kriteret.
Intervista e Klodian Tomorrit në MCN TV:
Klodian, Gjykata e Posaçme nuk ka gjetur shkelje të barazisë në tendera. Kompania fituese i ka plotësuar kriteret që kërkonte ligji?
Tomorri: S’ka pasur tender fare sepse nuk ka pasur garë. Kanë qenë pazar i rëndomtë dhe faktet në dosje janë të qarta. Këtu drejtësia ku ka fakte prokuroria fillon dhe luan me pjesën “nuk na takon ne. Qytetarët kanë të drejtë të ngrenë pyetjen: A hyn njeri në burg këtu apo jo? Komisioni i vlerësimit të ofertave ka shkelur kriteret ligjore të tenderave.
SPAK vuri ne hetim 4 zyrtarë mes tyre dhe sekretarin e përgjithshëm te Ministrisë së Mbrojtjes. Cila ishte përgjegjësia e ketyre zyrtareve në këtë tender?
Tomorri: Përgjegjësitë janë të qarta dhe flagrante. E para dhe më flagriantia është që kompania nuk ka plotësuar kriteret. Aty thuhet shprehimisht: Kompania duhet të plotësojë kriteret. Pesë ditë para tenderit, kompania ka ndryshuar objektin e veprimtarisë duke shtuar edhe objektin e veprimtarisë. Dikush e ka udhëzuar. Ai që e ka gisht duhej të ishte para drejtësisë. Ky nuk është rasti i parë. E njëjta gjë ndodhi edhe me kitet e tamponëve të Covidit dhe respiratorët që u blenë me çmim 10 herë më të lartë. SPAK tha duhet ta hetojë prokuroria, unë nuk e kuptoj se çfarë gjykon SPAK. Më mirë të thonë që vjedhja nuk është krim dhe qytetarët të bien në qetësi, kështu është një tallje e neveritshme.



