
Policia e Tiranës ka kurorëzuar operacionin policor të koduar “Coast to coast”, kundër evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, duke vënë në pranga një burrë dhe një grua.
Të dyshuarit akuzohen se gjatë dy viteve, nëpërmjet kompanive fiktive, kryen transferta bankare me vlerë 11 milionë euro, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta, fillimisht në Shqipëri, më pas në Kanada.
Gjatë operacionit “Coast to coast”, në zbatim të vendimeve të kontrollit, të dhëna nga Gjykata e Tiranës, mbi kërkesën e Prokurorisë, u vunë në pranga shtetasit Arlinda Marku, 41 vjeçe, banuese në Lezhë dhe D.G., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Nga këto veprime ka rezultuar se dy shtetasit, gjatë periudhës 2021-2022, bashkëpunuan për të krijuar kompani fiktive, nëpërmjet të cilave transferuan para me burime kriminale, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta, fillimisht në Shqipëri, më pas në Kanada.
Mësohet se kryesisht kompanitë fiktive ishin të fokusuara në fushën e konsulencës, por se nëpërmjet tyre bëheshin transferta fiktive.
Aktualisht vijojnë hetime të thelluara, për të përcaktuar burimin e kundërligjshëm të parave, si dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë, shqiptarë dhe të huaj, të implikuar në këtë skemë kriminale.



