
Seanca e fundit plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione, duke kulmuar me braktisjen e sallës nga deputetët e opozitës në momentin kur mazhoranca nisi votimin e projektligjeve
Deputetët e Partisë Demokratike u larguan në shenjë proteste, pasi sipas tyre, mazhoranca rrëzoi një projektligj të propozuar nga opozita dhe vijoi procedurat në kundërshtim me rregulloren parlamentare.
Ndërkohë, deputetët socialistë vijuan normalisht votimin, duke miratuar disa projektligje pa praninë e opozitës.
Pas daljes nga Kuvendi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, akuzoi mazhorancën për provokim të qëllimshëm, duke e lidhur situatën me përkujtimin e ngjarjeve të 2 prillit 1991 në Shkodër.
“Sot pati një akt provokimi nga përfaqësues të partisë që vrau 4 qytetarë më 2 prill 1991, duke fyer deputetët e opozitës dhe familjet e tyre, si dhe duke kërkuar 1 minutë heshtje në një sallë pothuajse bosh,” deklaroi Bardhi.
Ai shtoi se kishte kërkuar fjalën për të propozuar që minuta e heshtjes të mbahej në një moment kur të ishin të pranishëm të gjithë deputetët, por kërkesa e tij u refuzua.
“Kërkova që nderimi për 4 dëshmorët e demokracisë të bëhej në një seancë me pjesëmarrje të plotë të deputetëve,” u shpreh ai.
Bardhi ngriti gjithashtu shqetësime për sjellje të papranueshme në sallë, duke pretenduar se deputetë të opozitës, përfshirë gra, janë kërcënuar. Ai përmendi edhe emrin e Taulant Ballës, si dhe kritikoi drejtimin e seancës nga Niko Peleshi.
Sipas tij, mazhoranca miratoi 7-8 projektligje pa debat parlamentar, duke e cilësuar këtë si cenim të funksionimit normal të Kuvendit.
Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi mbylljen e diskutimeve dhe kalimin direkt në votim, duke argumentuar se situata në sallë ishte e tensionuar dhe me gjuhë kërcënuese.
“Kur deputetët kërcënohen me jetë dhe situata del jashtë kontrollit, kërkoj mbylljen e diskutimeve dhe kalimin në votim,” u shpreh Balla.
Kërkesa e tij u miratua me votat e mazhorancës dhe seanca vijoi me votimin e akteve të rendit të ditës.
Ndër vendimet e marra:
U miratua me 77 vota pro dhe 2 kundër projektligji për aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare.
U miratua me 78 vota pro dhe 1 kundër projektligji për aderimin në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik.
U miratua projektligji për ndryshimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë Shqipëri–Turqi.
U miratuan ndryshimet në ligjin për parqet teknologjike dhe shkencore me 79 vota pro dhe 2 kundër.
Ndërkohë, projektligji i propozuar nga deputeti demokrat Klevis Balliu për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara u rrëzua me 79 vota kundër dhe 4 pro.
Kuvendi miratoi gjithashtu me 75 vota pro dhe 5 kundër zgjedhjen e Denar Bibës si anëtar të Autoritetit të Konkurrencës për një mandat të ri.
Po ashtu, u miratua ndryshimi në përbërjen e komisioneve parlamentare për deputeten Aulona Bylykbashi, si dhe zgjedhja e Diana Dervishit si anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.



