Amerikanët kanë realizuar udhëtimin e parë privat në Hënë. Një anije kozmike e ndërtuar nga “Intuitive Machines” u ul mesnatën e së enjtes në satelitin e Tokës. Është cilësuar një hap historik nga shumë analistë, teksa shënon uljen e parë të SHBA-së në sipërfaqen hënore pas më shumë se gjysmë shekulli.
Ka qenë një raketë “SpaceX” që dërgoi në Hënë mjetin robotik të emërtuar “Odiseu”.
“E kemi pritur me ankth. Tani po vjen sinjal nga Hëna, por është i dobët. Jemi ulur në sipërfaqen e saj dhe po transmetojmë të dhëna”, tha Stiv Altemus STIV, shefi ekzekutiv i “Intuitive Machine”
“Odiseu” përveç instrumenteve shkencorë të NASA-s, ka edhe disa pajisje të kompanive teknologjike për të parë se si mund të shfrytëzohet më mirë energjia diellore.
Kjo është ulja e parë në sipërfaqen hënore që nga misioni Apollo, në 1972-shin. Për shumë ekonomistë, ky udhëtimi tregtar i suksesshëm në hapësirë do të çelë një kapitull të ri për shumë kompani, duke u kthyer në industrinë më të fuqishme triliona dollarëshe brenda dy dekadave.



