Të tjera detaje tronditëse kanë dalë nga ngjarja e një dite më parë në Kombinat, ku nëna dhe njëra nga vajzat u gjetën të pajetë në banesën e tyre, ndërsa vajza tjetër është në spital.
Mësohet se Anisa Josifi, vajza e cila u gjet e pajetë dyshohet se kishte vdekur prej disa kohësh, por mbahej në banesë duke u lyer me vaj dhe uthull në mënyrë që të mos ndihej era e trupit të dekompozuar.
Referuar ekspertizës mjeko-ligjore për trupin e pajetë të 30 vjeçares, Anisa Josifi ka zbuluar se ajo ka ndërruar jetë 15 muaj më parë.
Ekspertët mendojnë se trupi është mumifikuar sepse është mbështjellë ditë pas dite me çarçafë të hollë. Një detaj të tillë e ka konfirmuar edhe vajza tjetër, 34 vjeçarja Blerta Josifi, e cila ndodhet në spital.
Blerta ka deklaruar se ajo dhe nëna kanë refuzuar çdo gjë, ushqim, ujë, etj për 40 ditë.
“Nëna vdiq, unë mbijetova”, i tha policisë 34-vjeçarja.
Vëllai i Zhaneta Josifit lajmëron policinë
Ka qenë vëllai i 56-vjeçares, shtetasi S.F, i cili dje (2 korrik 2020) ka njoftuar në Komisariatin e Policisë nr. 6 se në rrugën "Hamdi Cenoimeri" se motra e tij nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk i hapte derën e banesës.
“Në banesë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses dhe pasi kanê hapur derën, kanë gjetur pa shenja jete shtetasen Zhaneta Josifi., 56 vjeçe dhe vajzën e saj Anisa Josifi, 30 vjeçe, ndërsa vajza tjetër Blerta Josifi rreth 34 vjeçe, është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shendetësore. Paraprakisht nga veprimet e para hetimore dyshohet se janë vetëflijuar” – njofton policia.
Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj dha detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën mbrëmjen e sotme.
Prej tre ditësh nuk dilnin nga banesa
Gruaja dhe dy vajzat e saj kishin tre ditë që nuk kishin komunikuar dhe kjo kishte nxitur vëllanë e 56-vjeçares të kërkonte ndihmë policisë.
Jaupaj tregon se policia kishte hyrë nga dritarja e banjos.
"Vëllai ka telefonuar dhe ka thënë nuk kam kontakt prej tre ditësh me motrën dhe nuk përgjigjen në telefon. U ngrit grupi hetimor, shkuan në banesë dhe në pamundësi për të hapur derën e banesës, hymë nga dritarja e banjos. Konstatuam të ëmën të vdekur. Një nga vajzat në gjendje kritike për jetën dhe në një ambient tjetër në krevat, është gjetur e mbuluar me batanije dhe mbi batanije një jorgan vajza tjetër pa shenja jete. U ngrit grupi hetimor dhe po kryen veprime. Mendohet se mund të jenë vetëflijuar".
Ai tha se te viktimat nuk ka pasur shenja dhune, por është konstatuar se ditët e fundit nuk janë ushqyer.
''Paraprakisht eksperti mjeko-ligjor komunikoi dhe të dy viktimat nuk kishin shenja jete por mendohet se mund të jenë vetëflijuar, grupi hetimor vazhdon hetimet. Po grumbullojmë të gjitha provat materiale në ambientet e banesës. Kemi gjetur shënime të ndryshme me përmbajtje fetare. Të dyja vajzat kanë qenë të arsimuara, kanë mbaruar shkollën e lartë por ishin të papuna. Në konstruktin e tyre shihet që ka shenja të mosushqyerjes ditët e fundit. Do të japim një deklarim më të saktë pasi të dalë ekspertiza mjeko-ligjore''.
Grupi hetimor i përbërë dhe nga dy ekspertë të mjekësisë ligjore ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Mbështetëse të Jehovait, predikonin veprime ekstreme
Raportohet se nëna me dy vajzat në fjalë, nuk hanin ushqim, ndërsa predikonin veprime ekstreme. Banorë të zonës, të tmerruar thanë se viktimat ishin dëshmitare të sektit të ‘Jehovait’.
“Ishin dëshmitarë të Jehovait, praktikonin nga këto gjërat, rrinin pa ngrënë. Babai u kishte vdekur më herët. Jetonin të vetme. Jemi të tmerruar, shumë e rëndë”- tha një banore
Burime për mediat raportojnë se babai i vajzave ka ndërruar jetë pak kohë më parë.



