Presidenca kroate e Bashkimit Evropian ka deklaruar në një konferencë për mediat në Bruksel se, gjatë samitit të marsit nuk do të ketë vendim për çelje të menjëhershme të negociatave me Shqipërinë. Ajo shtoi se do të vazhdojë t’u kërkojë vendeve të bëjnë pjesën e tyre dhe nëse vendet dorëzojnë rezultatet, atëherë duhet një vendim shumë i qartë dhe i menjëhershëm për hapat e ardhshëm nga ana e BE-së.
E pyetur nga korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, ambasadorja Irena Andrassy tha se do të ketë caktim të një date, me dallime mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sipas kushteve të vëna.
Andrassy tha se presidenca kroate e Bashkimit Evropian do të përpiqet të gjejë një ekuilibër mes vendeve skeptike ndaj zgjerimit, Holandës, Danimarkës dhe Francës, dhe punës që duhet të bëjnë vendet aspirante, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me shpresën për të arritur në një vendim pozitiv për dhënien e një date për çeljen e negociatave gjatë samitit të fund-marsit në Bruksel.



