
Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë në një delaratë për mediat disa orë pasi televizioni italian publikoi një dokumentar në lidhje me 14 ton kokainë që do të vinin në Shqipëri me anë të një nëndetëseje.
Basha u shpreh se është shumë i tronditur nga ky lajm dhe se Partia Demokratike po ndërmerr masa për të luftuar krimin e organizuar dhe pastrimin e parave nëpërmjet hartimit të disa ligjeve. Kryedemokrati tha se në shtator do të shpalosë planin e tij të hartuar.
Ai theksoi më tej se është qeveria ajo që po mbron organizatat kriminale të trafikut të drogës duke ua lehtësuar atyre punën dhe duke lënë që të sundojnë rreth 1/3 e vendit nga droga, ashtu siç thuhej në dokumentarin e Rai 3.
“Jam shumë i tronditur nga dokumentari i publikuar nga Rai 3. Kjo gjë tregon se qeveria shqiptare po ndihmon organizatat kriminale në mënyrë që të sundojnë vendin me drogë. Sasia e mbjellë e kanabisit është pesëfishuar. Krimi në Shqipëri ka kapur të gjitha nivelet e qeverisjes. Prokurorët italianë të antimafias na e treguan këtë. Organizatat kriminale kontrollojnë heroinën afgane. Ky është një dokumentar bombë që tregon se tashmë po rrezikohet siguria kombëtare në Shqipëri,”- tha Basha ndër të tjera.
Më tej kryedemokrati u shpreh se nuk do të lejojë që mafia dhe krimi të sundojnë Shqipërinë dhe se për këtë arsye po përgatit një plan me masa radikale, për ta parandaluar këtë gjë. Ai tha ndër të tjera se këto masa do të ndalojnë pastrimin e parave dhe se paketa do të jetë gati në momentin që opozita do të vijë në pushtet.
“Tirana është marrë peng nga një boom ndërtimesh të financuara nga krimi si në rastin e Teatrit, por edhe të tjera. Ne do të ndryshojmë gjithçka që në ditën e parë që do të vijmë në pushtet,”, vijoi Basha më tej.
“Rai 3” ka publikuar një dokumentar mbi trafikun e drogës në Shqipëri. ‘Narcotica’, emisioni italian që ka hetuar rrugën e drogës drejt Italisë, së fundmi ka hulumtuar edhe për Shqipërinë.
Prokurori i antimafias Nicola Gratteri tregon për Rai3, se një e treta e Shqipërisë është e mbjellë me kanabis.



