
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve në veri të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen ditën e nesërme në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Përmes një deklarate për shtyp Osmani tha se institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria të jetë e garantuar.
Zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri juaj dëgjohet nga të gjithë. Andaj, zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja.
E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t'ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar.
Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t'u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t'ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t'ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës.



