Propozimi i qeverisë italiane për uljen e taksave të fermerëve i ka ndarë këta të fundit në dy grupime, një pjesë e të cilëve është pro ofertës dhe ndalimit të tubimeve dhe të tjerët të cilët këmbëngulin për vijimin e qëndresës deri në dërgimin e një përfaqësie në Bruksel.
Përveç përjashtimit nga taksat e vendosura mbi fitimin nën dhjetë mijë euro qeveria po ashtu propozoi edhe uljen e tatimit me 50% mbi fitimin 15 mijë euro të fermerëve. Ky plan masash është planifikuar të hidhet në votim në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Ndërkohë përfaqësuesit e sindikatave që duan vijimin e protestave thonë se këto lehtësira janë sa gjysma e stimujve te 20 viteve më parë në një kohë që kostot janë të pakrahasueshme.
Përveç fermerëve italianë protesta të ngjashme vijojnë edhe në vende si Greqia, Belgjika, Spanja dhe Polonia. Ne Belgjike fermerët bllokuan pjesërisht me traktorë portin e Antwerpen duke shkaktuar probleme serioze jo vetëm ne qarkullimin e njerëzve, por edhe të mallrave.
Edhe në Spanjë fermerët po protestojnë prej shtatë ditësh. Ata kanë drejtuar një sërë thirrjesh kundër rritjes së kostove të prodhimit veçanërisht pas dëmeve kolosale të shkaktuara nga thatësira ekstreme që preku shumë rajone të këtij shteti.
Ndërkohë në Greqi fermerët janë në pritje të vendimit të qeverisë për kërkesat të cilat ata i kanë parashtruar.
Në Poloni fermerët protestojnë kundër produkteve ukrainase të cilat sipas tyre dëmtojnë konkurrencën e pandershme. Sipas fermerëve polakë gruri i Ukrainës ka shkaktuar një rënie të kërkesës dhe çmimeve për prodhimin vendas.



